Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, është treguar shumë jobashkëpunues gjatë mandatit të tij 50-ditor në qeveri. Ai ka thënë se Kurti, nuk është këshilluar fare me opozitën. Haradinaj ka theksuar se Kurti zakonisht e telefononte atë vetëm pasi merrte vendimet. Ka thënë se kështu ka ndodhur edhe me rastin e taksës.
“Kurti nuk ka bashkëpunuar. Zakonisht, pasi i merrke vendimet, më thërriste dhe kërkonte mendimin tim. Masi e ka marr vendimin për taksën, më ka thirrë të nesërmen”, ka thënë ai. Haradinaj ka thënë se ka shumë arsye pse Kurti është dashur të konsultohet me të dhe me të tjerët për heqjen e taksës e çështje të tjera të interesit nacional.
“Një arsye për arsye që ka mund me më thirrë Kurti, është jam i fundit që kam qenë në zyrë të tij. Nëse ishte këshillu me mua, ndoshta i kisha ndihmu që me nxjerr diçka nga ndërkombëtarët. Me mëndu që i kryen vet punët e Kosovës, është gabim. Kushdo që mendon ashtu, keq e ka. Ne duhet të jemi ekip”, ka theksuar kryetari i AAK-së. Tutje, Haradinaj ka folur edhe për gjendjen ekonomike. Ai ka thënë se Qeveria Kurti nuk po tregohet e kujdesshme, duke e kritikuar se e ka bllokuar totalisht ekonominë gjatë periudhës pandemike. Haradinaj beson që këto masa nuk kanë qenë të nevojshme.
“Qeveria e Kosovës nuk u tregu shumë e mecme me bë analizë se çfarë masash e mbrojnë sektorin ekonomik. Maqedonia, psh, ka shpallë gjendje të jashtëzakonshme por nuk e ka blloku ekonominë. Për ekonominë edhe një orë e humbur është shumë. Duhet me fillu sa më shpejtë me qarkullu paraja në vendin tonë”, ka thënë ai.














