Në Zagreb u shënua me solemnitet të veçantë Dita e Pavarësisë së Republikës së Kosovës, në një ceremoni që për nga niveli i përfaqësimit dhe mesazhet e përcjella tejkaloi karakterin protokollar dhe u shndërrua në një manifestim të qartë të afirmimit ndërkombëtar të shtetësisë së Kosovës.
Të pranishëm ishin ambasadorë, diplomatë dhe atashe ushtarakë të akredituar në Republikën e Kroacisë, përfaqësues të lartë të shtetit kroat nga Presidenca, Kuvendi dhe Qeveria, si dhe një numër i madh bashkatdhetarësh tanë që jetojnë e punojnë në Kroaci, duke dëshmuar se diaspora shqiptare mbetet një faktor i rëndësishëm në forcimin e lidhjeve ndërmjet dy vendeve.


Fjalën qendrore e mbajti Ambasadori i Republikës së Kosovës në Kroaci, dr. Martin Berishaj, i cili paraqiti një analizë të thellë historike, politike dhe strategjike mbi marrëdhëniet shqiptaro-kroate dhe vendin e Kosovës në rendin euroatlantik.
Duke përkujtuar 300-vjetorin e ardhjes së arbëreshëve në Zarë, ai theksoi se prania shqiptare në Kroaci nuk është episod i kohëve moderne, por një realitet historik i rrënjosur thellë në identitetin e rajonit.

Po ashtu, ai vuri në pah faktin se në Janjevë të Kosovës jeton diaspora më e vjetër kroate në botë, duke dëshmuar një ndërthurje të rrallë historike që e bën partneritetin Kosovë–Kroaci më shumë se një marrëdhënie diplomatike — një lidhje të ndërtuar mbi përvojë të përbashkët historike, kulturore dhe shpirtërore.


Në dimensionin gjeopolitik, ambasadori dr. Berishaj argumentoi se bashkëpunimi ushtarak ndërmjet Kroacisë, Shqipërisë dhe Kosovës përfaqëson një bosht stabiliteti në Evropën Juglindore dhe një kontribut konkret në arkitekturën e sigurisë euroatlantike.
Sipas tij, ky partneritet është dëshmi se paqja në rajon nuk është e dhënë, por rezultat i përgjegjësisë së përbashkët të shteteve që ndajnë vlera demokratike dhe orientim perëndimor.
Ai u ndal gjithashtu te çështja e krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që ndodhen në Hagë, duke theksuar se lufta e UÇK-së ishte një luftë çlirimtare e legjitimuar nga e drejta ndërkombëtare dhe nga nevoja për mbrojtjen e popullsisë civile.
Në këtë kontekst, ai shprehu bindjen e tij se drejtësia do të konfirmojë pafajësinë e tyre, duke e cilësuar këtë si një të vërtetë historike që nuk mund të zhbëhet.


Zëvendësministri i Mbrojtjes së Kroacisë, gjenerali Tomislav Galić, theksoi se aleanca dhe bashkëpunimi ushtarak ndërmjet vendeve të rajonit janë element thelbësor për ruajtjen e stabilitetit dhe përballimin e sfidave të reja të sigurisë.
Ndërkaq, Davor Ivo Stier, ish-ministër i Punëve të Jashtme i Kroacisë, aktualisht eurodeputet dhe kryesues i Delegacionit të Parlamentit Evropian për Kosovën, konfirmoi mbështetjen e vazhdueshme për integrimin evropian të Kosovës, duke theksuar se e ardhmja e rajonit është e pandashme nga Bashkimi Evropian.
Ceremonia e mbajtur në Zagreb dëshmoi se pavarësia e Kosovës nuk është vetëm një akt historik i vitit 2008, por një proces i vazhdueshëm i konsolidimit shtetëror dhe ndërkombëtar.
Prania e gjerë e përfaqësuesve shtetërorë dhe diplomatikë, së bashku me mobilizimin e diasporës, konfirmoi se Kosova sot perceptohet si faktor stabiliteti, partner i besueshëm dhe pjesë e pandashme e të ardhmes evropiane të rajonit.


Ceremonia u shoqërua nga tingujt e këngëve të vjetra arbëreshe, të interpretuara me ndjeshmëri të veçantë nga Dina Bušić, arbëreshe nga Zara. Interpretimet e saj ndërthurin motive autentike tradicionale, tema dashurie dhe elemente të përpunimit modern, duke krijuar një atmosferë të ngrohtë dhe thellësisht emocionale.
#ambasadaekosoves
#MPJD













