Është anuluar takimi ndërmjet ministrave të Jashtëm të Iranit dhe Austrisë. Kjo për shkak se diplomati iranian, Mohammad Javad Zarif, anuloi vizitën në Austri pasi në institucionet shtetërore të vendit ishin vendosur flamujt izraelitë.
Lajmin e konfirmoi Ministria e Jashtme e Austrisë.
Media, duke iu referuar Ministrisë së Punëve të Jashtme, raportuan se vizita e Zarifit u anulua sepse flamujt izraelitë ishin vendosur në institucionet shtetërore austriake.
Zarif pas vizitës në Spanjë pritej të udhëtonte në Vjenë.
Nga ana tjetër, katër protesta në mbështetje të Palestinës e cila ndodhet nën sulmet izraelite, që ishin planifikuar të mbahen në Vjenë, u anuluan pasi policia për arsye sigurie nuk lejoi tubimet. Po ashtu, janë shtuar masat e sigurisë në dhe rreth Ambasadës së Izraelit në Vjenë dhe sinagogat.
Lidhur me vendosjen e flamujve izraelitë në institucionet shtetërore në Austri, përskaj atyre të Iranit, ka reaguar edhe Turqia.














