Lidhja Demokratike e Kosovës ka bërë të ditur se, pas dorëheqjes së Kryetarit të saj Isa Mustafa, po i kryen përgatitjet për Kuvendin, në të cilin do të zgjedh kryetarin e ri të saj, shkruan Gazeta Sinjali.
Përmes një komunikate për media, LDK ka njoftuar se mandati i kryetarit të ri do të zgjasë deri në gusht të vitit 2023.
“Lidhja Demokratike e Kosovës, pas paralajmërimit të dorëheqjes së Kryetarit të saj Isa Mustafa, po i kryen përgatitjet për Kuvendin, në të cilin do të zgjedh kryetarin e ri të saj. Mandati i kryetarit të ri do të zgjasë deri në përfundimin e mandatit të Kuvendit të LDK-së, përkatësisht deri në gusht të vitit 2023. Konsultat nëpër degë, me anëtarësinë dhe me strukturat e LDK-së për kandidaturat për kryetar do të zhvillohen deri në fund të këtij muaji”, thuhet në njoftimin e LDK-së.
Tutje, LDK ka sqaruar se propozimet mund t’i përcillen Sekretarit të LDK-së, për Komisionin Kandidues.
“Propozimet mund t’i përcillen Sekretarit të LDK-së, për Komisionin Kandidues. Procesi i propozimeve, të cilat i përcillen Kuvendit është i hapur dhe pa asnjë ndërhyrje nga organet e LDK-së. Kuvendi do të vendosë, duke respektuar në tërësi dispozitat e Statutit të LDK-së”, thuhet në njoftimin e LDK-së.














