I ndodhur në listën e zezë të Amerikës, zëvendëskryeministri i Qeverisë së Serbisë, Aleksandar Vulin ende po e luan shefin e shërbimit sekret serb (BIA).
Pavarësisht largimit nga pozita e të parit të BIA-s serbe, tash zëvendëskryeministër i Serbisë, Vulin po cilësohet si shef i asaj agjencie nga Kina.
Kjo u dëshmua sot gjatë një takimi që ai pati me ministrin e Sigurimit të Shtetit dhe shefin e shërbimit të inteligjencës dhe kundërzbulimit të Kinës, Chen Yisin.
Nuk munguan as mbivlerësimet për Serbinë.
Jisin tha se zgjedhja e Vulin në postin e zëvendëskryeministrit “tregoi se Serbia ka një shtyllë kurrizore dhe udhëheq një politikë të pavarur”, thuhet në njoftimin për shtyp të zyrës së bashkëpunimit për media të qeverisë serbe.
Në takim u ra dakord për vazhdimin e bashkëpunimit ndërmjet Serbisë dhe Kinës “në fushën e sigurisë, si dhe shkëmbimin e përvojave në fushën e punës kundërzbuluese dhe luftën kundër revolucioneve me ngjyra”.
U theksua se bashkëpunimi mes BIA-s dhe Ministrisë së Sigurisë Shtetërore të Kinës është i shkëlqyer.
Takimi mes të dyve u shfrytëzua edhe për qortime e mesazhe për perëndimin.
Në deklaratë shtohet se “udhëheqja e Ministrisë së Sigurisë Shtetërore të Kinës shprehu mirënjohje të veçantë për Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për udhëheqjen e një politike të pavarur dhe liridashëse, pavarësisht presionit të madh nga disa qendra të pushtetit ndërkombëtar që ende nuk e kuptojnë se bota ka bëhen policentrike dhe multipolare”.
Sidoqoftë, takimi i Vulin me shefin kinez të shërbimit inteligjent po ndodh në kohën kur e gjithë Serbia është ngritur në këmbë pas tragjedisë që ndodhi në Novi Sad kur një pjesë e tendës së stacionit hekurudhor u shemb dhe la të vdekur 15 persona. Kompania që e rinovoi pjesën e objektit që mori jetë njerëzish është kineze.














