Sot raportuam se një person, shtetas i huaj është gjetur i vdekur sot rreth orës 09:00 në një shtëpi në rrugën “Musine Kokalari” në lagjen “Ulpiana” të Prishtinës.
E njëjta shtëpi në rrethana të dyshimta ishte përfshirë nga zjarri.
Siç bëhet e ditur, ekipet mjekësore kanë arritur të largojnë trupin e pa jetë të viktimës, refugjatit, nga shtëpia në Ulpianë.
Mësohet se azilkërkuesi nuk ka vdekur nga zjarri, por nga plagët e marra paraprakisht nga therja me thikë.
Rastin për Sinjalin e kanë konfirmuar nga Policia e Kosovës.
“Rreth orës 09:00 është pranuar informata për një zjarr në një shtëpi në rrugën “Musine Kokalari” në lagjen Ulpiana në Prishtinë. Menjëherë njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes ku kanë ftuar edhe zjarrfikësit të cilët kanë lokalizuar zjarrin. Bazuar në të dhënat fillestare nga këqyrja e vendit të ngjarjes, dyshohet për një person të vdekur ( shtetas i huaj) në rrethana të dyshimta brenda objektit të përfshirë nga zjarri. Aktualisht policia ka nisur një hetim lidhur me rastin respektivisht për rrethanat e kësaj vdekjeje të dyshimtë si dhe shkaqeve të zjarrit, por edhe ndërlidhjen eventuale mes tyre.”















