Nënkryetari i AAK-së, Ardian Gjini, ka folur rreth zhvillimeve të fundit në këtë subjekt politik, ku një ditë më parë, dha dorëheqje nga të gjitha pozitat në këtë parti, kryetari i Obiliqit, Xhafer Gashi.
Ai ka thënë se pavarësisht largimeve, ndërsa përfshinë edhe reagimin e ish-minstres së Jashtme, Meliza Haradinaj, AAK, ruan boshtin e saj politik, njofton Klan Kosova.
”Nuk është diçka e mirë që ka ndodhë. Ne e kemi pasur koleg për një kohë të gjatë. Kryetari Haradinaj ka bërë më shumë për Obiliqin se sa për Gjakovën, edhe pse edhe për Gjakovën është bërë shumë prej AAK-së”.
”Nuk i kuptoj detajet të gjitha, por them se AAK ka një bosht të fuqishëm, që ka mbijetuar në një kohë shumë më të zorshme, dhe besoj që qytetarët e Kosovës e dijnë që ekziston një subjekt politik që në rrethana jashtëzakonisht të zorshme, i ka përfaqësuar votuesit e vet në mënyrën më të mirë të mundshme”.
”Tani e kemi rastin e Xhaferit dhe Melizës. Mund t’ju them bindjen time personale, sepse nuk kam arritë t’i kuptoj deri në fund argumentet e tyre. Unë kisha pas qejf t’i kemi të dy ende në AAK, dhe secili prej nesh, por këto janë vendime të tyre”.
Cilat kanë qenë pakënaqësitë e tyre për rastin që u larguan?
”Pa hy në detaje, me ministren Haradinaj nuk kam provuar të bisedoj. Me kryetarin Gashi, kam provuar në njëfar mënyre me bisedu. Por, ata kanë qenë njerëz të AAK-së kanë dhënë kontributin e tyre në AAK. Nëse ka njerëz të tillë që për arsye të caktuar nuk e gjejnë veten aty, AAK prapë ka me vazhdu”.
”Boshti i AAK-së do të mbetet gjithmonë. Ne dy kolegëve tanë iu urojmë sukses. Ata nuk duhet të harrojnë që në AAK, prej kryetarit të partisë e tek cilido anëtar tjetër, i kanë respektu. Nëse kanë pasur hidhërime, ne na vjen keq për nder, por partitë janë klube dhe nuk munden të gjithë të jenë miq të ngushtë. Nuk është lajm i mirë për AAK-në me shku Meliza Haradinaj dhe Xhafer Gashi. Por ju garantoj që AAK e ruan boshtin e vet politik dhe nuk ka lëvizje që mund të bëjnë dëme të tjera”.














