Prokurori i rastit “Brezovica”, Rasim Maloku ka njoftuar se Prokuroria i ka ngrirë afër 6 milionë euro, para të të arrestuarve dhe familjarëve të tyre.
Në një konferencë për media, prokurori Maloku tha se shumica e parave të ngrira janë të vetë të pandehurve,
“Nga të dhënat financiare që i kemi siguruar nga bankat që i posedojnë këta të pandehur dhe familjarët e tyre, deri tani kemi ngrirë afër 6 milionë euro. Shumica e këtyre mjeteve janë të vetë të pandehurve, kurse një pjesë e tyre janë të familjarëve të tyre që dyshohet se janë mjete të përfituara si dobi pasurore nga veprat penale”, tha Maloku.
Gjatë aksionit të sotëm, Policia bastisi 9 lokacione në 3 komuna.
Boll Marre: Zëvendësdrejtori i gjimnazit në Malishevë e ngacmoi seksualisht një nxënëse në banjo
Ai paralajmëroi se aksione të ngjashme si sot dhe ai më herët do të zhvillohen sërish.
“Nuk është aksioni i fundit. Ky proces do të vazhdojë në ditët e ardhshme dhe do të njoftoheni me kohë”, tha prokurori Maloku.
Ndërsa zyrtari policor, Agron Haziri tha se në aksionin e sotëm u arrestuan 4 persona, 3 prej të cilëve u ndaluan për 48 orë, ndërsa njëri u lirua. Në mesin e të ndaluarve janë kryeinspektori i Ministrisë së Ambientit, Bedri Halimi dhe ish-sekretari i kësaj ministrie, Arben Çitaku.
Haziri tha se janë në kërkim edhe të 5 personave tjerë.
“Operacioni ka rezultuar me 4 persona të arrestuar. Një person i dyshuar është liruar në procedurë të rregullt. 3 persona të tjerë janë ndaluar për 48 orë me vendim të prokurorit dhe 5 persona janë në kërkim policor”, tha Haziri.
Ai njoftoi se të arrestuarit, përveç ryshfetit, dyshohen edhe për pengim të procesit dhe frikësim.