Qeveria Australiane ka ngritur shqetësime në lidhje me inkursionet e shtuara të Kinës në zonën e mbrojtjes ajrore të Tajvanit dhe e paralajmëroi atë kundër “kërcënimit ose përdorimit të forcës”.
Autoritetet tajvaneze thanë se Pekini ka dërguar rreth 150 avionë luftarakë dhe bombardues në zonën e tyre të mbrojtjes ajrore gjatë katër ditëve të fundit, duke bërë që SHBA-ja t’i cilësojë këto inkursione si “provokuese” dhe “destabilizuese”. Ministri i Jashtëm i Tajvanit, Joseph Wu, e përshkroi aktivitetin ushtarak kinez si “kërcënues”.
Forcat Ajrore të Ushtrisë Çlirimtare të Popullit (PLA) dërguan sot një numër rekord prej 56 aeroplanësh në zonën e mbrojtjes ajrore të Tajvanit. Të dielën kishin dërguar 16, ndërkaq të shtunën 39 dhe të premten 38 sosh.
Qeveria australiane u mblodh të hënën në mbrëmje, duke deklaruar se Kanberra dëshiron “një rajon Indo-Paqësor të sigurt, të begatë dhe të bazuar në sundimin e ligjit”.
“Australia është e shqetësuar nga rritja e inkursioneve ajrore të Kinës në zonën e mbrojtjes ajrore të Tajvanit gjatë javës së kaluar”, tha një zëdhënës i Departamentit të Punëve të Jashtme dhe të Tregtisë, në përgjigje të pyetjeve të Guardian Australia.
“Zgjidhja e dallimeve mbi Tajvanin dhe çështjet e tjera rajonale duhet të arrihen në mënyrë paqësore përmes dialogut dhe pa kërcënimin ose përdorimin e forcës ose detyrimit”.
Zëdhënësi nuk komentoi një thirrje të përsëritur nga Ëu për shkëmbime të sigurisë dhe të inteligjencës midis Tajvanit dhe Australisë.
Por, Australia dhe SHBA-ja muajin e kaluar përpiluan planet “për të forcuar lidhjet me Tajvanin”, të cilin e cilësuan si “një demokraci kryesore dhe një partner kritik për të dy vendet”.
Pas bisedimeve të Ausmin në Uashington DC, ministrat australianë, Marise Payne, dhe Peter Dutton, bashkë me homologët e tyre amerikanë, Antony Blinken, dhe Lloyd Austin, gjithashtu premtuan mbështetje për “pjesëmarrjen kuptimplotë të Tajvanit në organizatat ndërkombëtare”.
Partia Komuniste Kineze (CCP) e konsideron Tajvanin një provincë të Kinës, pavarësisht se partia nuk ka qeverisur kurrë ishullin dhe është zotuar se do ta marrë atë me forcë nëse është e nevojshme.