Shefi i stafit të presidencës së Kosovës, Blerim Vela po i vazhdon përplasjet virtuale në Twitter me drejtorin e të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, shkruan Gazeta Sinjali.
Petkoviq e akuzoi Velën se kishat serbe po shkatërrohen në Kosovë, teksa ky i fundit ia kishte përmendur eshtrat e të zhdukurve që po mbahen në Serbi.
E së fundmi Petkoviq ia ka përmendur trazirat e marsit 2004 kur u dogjën shumë kisha serbe, teksa e ka ftuar Kosovën në tryezën e negociatave.
“A ju kujtohet 17 marsi 2004 Blerim Vela? Ishte koha kur shenjtëritë serbe digjeshin, perlat e trashëgimisë kulturore botërore. Kthehuni tek dialogu, në tryezën e negociatave, është e vetmja gjë që ka kuptim”, ka shkruar Petkoviq.
Ndërsa Vela i është kundërpërgjigjur duke i kërkuar të bëjnë kontrolle me të dhënat e organeve serbe të sigurisë e t’i kthejnë eshtrat e të zhdukurve në Kosovë.
“Këtë javë, eshtrat e dy individëve nga Kosova u zbuluan në Kizhevak të Serbisë. Bëni kontrolle me të dhënat e policisë, ushtrisë dhe shërbimeve të inteligjencës tuaj dhe dorëzoni të gjitha eshtrat e të dashurve tanë. Ky do të ishte një hap i mirë për të ndërtuar besimin midis vendeve tona”. ka shkruar Vela.