Ish-drejtori i Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), Ilir Murtezaj, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të Qeverisë se gjatë qeverisjes së saj është rritur pasuria e qytetarëve, duke theksuar se të dhënat zyrtare të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) tregojnë të kundërtën.

Sipas Murtezajt, raportet e BQK-së dëshmojnë një rritje të ndjeshme të borxhit të ekonomive familjare, i cili nga 1 miliard e 915 milionë euro në vitin 2023, ka arritur në 2 miliardë e 336 milionë euro në vitin 2024. Kjo paraqet një rritje prej 22 për qind, apo 421 milionë euro më shumë borxh vetëm gjatë vitit 2024.

Ai shton se nëse krahasimi bëhet me vitin 2020, borxhi i qytetarëve ndaj bankave është dyfishuar, nga 1 miliard e 182 milionë euro në 2 miliardë e 336 milionë euro.
“Trendi i rritjes së kredive ka vazhduar edhe gjatë vitit 2025”, thekson Murtezi, duke iu referuar raportit të Institutit GAP, i cili bazohet në të dhënat e BQK-së.
Sipas tij, rritja e borxhit është tregues i qartë se të ardhurat e qytetarëve nuk po mjaftojnë për të mbuluar koston e jetesës, çka sipas Murtezit është sinjal alarmi për rritje të varfërisë në Kosovë.
Në fund, Murtezaj vlerëson se Kosova ka nevojë urgjente për ndryshim të politikave ekonomike, duke kërkuar strategji që sjellin zhvillim real ekonomik, rritje të mirëqenies së qytetarëve dhe stabilitet financiar, në mënyrë që qytetarët të kenë parashikueshmëri për jetën dhe të ardhmen e tyre.














