Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të nisë sot identifikimin e personave të infektuar me COVID-19 për pjesëmarrje në zgjedhje.
KQZ ka bërë përgatitjet që edhe personat të cilët janë në izolim, pasi infektimit me COVID-19, të shfrytëzojnë të drejtën kushtetuese e të votojnë në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 14 shkurtit.
Identifikimi i këtyre personave të cilët janë të infektuar do të fillojë sot më 2 shkurt dhe do të zgjasë deri më 11 shkurt ndërsa ata do të mund të zgjedhin nëse duan që të marrin pjesë apo jo në zgjedhje.
“KQZ-ja ka përgatitur një udhëzim ku bëhet mënyra e regjistrimit, verifikimit dhe votimin e personave që janë të infektuar me COVID-19”, kishte thënë gjatë një interviste për Telegrafin, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.
KQZ-ja do të dërgojë ekipe mobile te personat të cilët shprehin vullnetin për të votuar nëpër adresat e tyre, për tu mundësuar votimin ditën e zgjedhjeve.
Ndryshe, në raportin e fundit ditor, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka njoftuar se numri total i rasteve pozitive është 60.500 raste nga 235.724 persona të dyshimtë dhe 1.503 viktima.
Sipas të dhënave të IKSHPK-së, numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 52.621 raste, kurse numri i rasteve aktive është 6.376.