Në kulmin e një dëshpërimi e ankthi shoqëror prej avancimit të valës së infektimeve nga COVID-19, ka dhe prej atyre optimistëve në këtë klimë pesimizmi.
Eshtë epidemiologu Ilir Alimehmeti ai që pretendon se, së paku, virusi nuk është më aq kërcënues për jetën, si shkak i një mutacioni.
Ndodh kjo ndërsa bashkë me të dhënat e infektimeve në rritje, vijnë dhe ato të jetëhumbjeve, që jo gjithnjë janë mosha të thyera.
Por Alimehmeti ka një referencë shkencore për qëndrimin e tij, të cilën ai e ndan me publikun.
“Ndrysho mënyrën se si i sheh gjërat dhe gjërat që sheh do të ndryshojnë”
Lajme të mira miqtë e mi!
Të gjithë ne, pavarësisht nga profesioni dhe edukimi, kemi dëgjuar gjatë javëve të kaluara se virusi ka pësuar një mutacion të ri (forma G614), i cili e bën më të transmetueshëm atë.
Që më datë 27 maj filluan raportimet për fenomenin e homoplazisë që po ndodhnin në këtë virus dhe që do të çonin drejt “zbutjes së tij” dhe “përshtatjes bartës-virus”.
Forma G614 ishte e qartë që transmetohet më gjerë dhe është përgjegjës për shumicën dërrmuese të rasteve në nivel botëror, por shumë u çoroditën nga vdekjet (e shprehura në shifra absolute) që po shtoheshin. Në fakt ky shtim ndodhi kryesisht nga dy faktorë: numri më i lartë i të infektuarve (në fakt numri relativ i vdekjeve ka rënë, OBSH tani deklaron se IFR = 0.6%) dhe nga heqja e masave shtypëse në shumicën e shteteve. Por vetë virusi po shkakton më pak klinikë dhe vdekje dhe kjo vërehet edhe nga ky studim elitar i publikuar pak ditë më parë. Studimi udhëhiqet nga Prof. Sandrasegaram Gnanakaran, ndoshta koka më e lartë e virologjisë strukturore dhe është kryer në laboratoret më të mira të virologjisë.
Në këtë artikull tepër teknik, të cilin këshilloj ta lexojnë virologët dhe kërkuesit shkencorë, tregohet se struktura e proteinës “spike” të SARS-CoV-2 tashmë ka një konformacion “më të zbuluar” ose “të hapur”. Pra, domeni i lidhjes me receptorin (RBD – receptor binding domain) ka dalë më në sipërfaqe. Ky konformacion më i hapur e bën variantin G614: më të aftë për t’u lidhur me receptorët ACE2, pra ka më shumë raste infektimesh. por më të ndjeshëm ndaj efektit të antitrupat, që mund ta neutralizojnë atë duke ulur klinikën dhe vdekshmërinë. Këto karakteristika shkojnë pikërisht në drejtim të fenomenit të homoplazisë, pra të “përshtatjes bartës-virus”. Por, duhet të presim më shumë prova dhe evidenca.
“…Specificikisht, ekspozimi i RBD-së rritet me rreth 40% (reziduet 438-506). Kjo shoqërohet nga një ekspozim më i madh edhe i zonës së lidhjes së ACE2 edhe i epitopeve të RDB-së që shënjestrohen nga antitrupat. Për shembull, ka një rritje rreth 64% të ekspozimit të rajonit të epitopit C105 kur RBD-ja është “e hapur”, në krahasim me orientimin “e mbyllur”, në të cilin ky rajoni është i varrosur nga proteinat dhe glikanet rrethuese. Si rrjedhojë, në gjendjen e re, që favorizohet nga forma G614, epitopet kyçe të RBD-së janë më të aksesueshme se sa në formën D614…” Forca miqtë e mi!
Dr. Shk. Ilir Alimehmeti Epidemiolog Klinik Fakulteti i Mjekësisë, UMT