Sali Berisha i PD-së denoncoi me emra deputetët e mazhorancës, që sipas tij, në zgjedhjet parlamentare të 11 majit u zgjodhën nga votat e krimit.
“Kampion është natyrisht Sara Mile, Arkend Balla, Ani Dyrmishi, Blendi Xhabafti. Këta të katër së bashku bëjnë rreth 80 mijë vota dhe këta janë vetëm pararoja e kontingjentit të krimit të 28 deputetëve që bandat morën urdhër nga Edi Rama për t’i mbështetur”, shkruan tvklan.al, transmeton Klankosova.tv.
Në këmbim të votave, Berisha tha se krerët e bandave kanë përfituar leje ndërtimi nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, teksa foli përgjime që sipas tij faktojnë lidhjet e ngushta të Ramës me eksponentë të botës së krimit.
“Ato përgjimet që kanë ardhur, tregojnë për darkat dhe drekat që Edi Rama shtronte me Pojën dhe Ergys Agasin me verërat 30-40 mijë euro shishja. Elvis Doçi apo Poja në një hark kohor të shkurtër, leje për ndërtimin e dy hoteleve, një në Durrës dhe tjetrin diku te Shkëmbi i Kavajës. Me dy sipërmarrje të vetat. Ai ka qenë një i ftuar frekuent i Ramës në gostira bashkë me Agasin dhe këta të tjerët. Se thonë se edhe Surreli është përdorur për takime bandash mes Olsit, Suel Çelës etj, po këto janë thënie, duhen dokumentuar, po ua them siç m’i kanë transmetuar.”
Sërish paralajmëroi se nuk do e njohë farsën elektorale, duke vijuar betejën me ndërkombëtarët deri në plotësimin e kërkesës së opozitës.
“Qeveri teknike, me një agjendë të përcaktuar, problemet që zgjidhen direkt me integrimin dhe zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Kjo është kërkesa jonë, për të cilën do luftojmë me të gjithë mbështetësit tanë dhe miqtë tanë në Evropë dhe në botë.”
Nga beteja thotë se nuk ka kthim pas, derisa shqiptarët të votojnë të lirë, duke nënkuptuar se rikthimi i punimeve të Kuvendit në 29 maj do ta gjejë sërish në kaos edhe parlamentin.
“Qëndresë, qëndresë, qëndresë ndaj shtetit elektoral kriminal. Të gjitha format.”
Berisha kërkoi që strukturat kriminale të shpallen grupe terroriste dhe deklaroi se Partia Demokratike do të bashkëpunojë me komunitetin ndërkombëtar për të ndëshkuar këto lidhje mes krimit dhe politikës.