Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Jeff Hovenier, në një intervistë dje për T7, është përkujdesur të përçojë mesazhe për të gjitha palët e interesit sa i përket procesit të normalizimit me Serbinë, Asociacionin e sigurinë në Veri të Kosovës dhe rajon.
Hovenier ka përsëritur kërkesën e treshes evropiane, Scholz, Macron e Meloni lidhur me nevojën urgjente për të lëvizur drejt themelimit të Asociacionit dhe dhënies së njohjes de-facto nga Serbia.
“Por, të mos ketë asnjë gabim, ajo që Shtetet e Bashkuara shpresojnë të shohin, presin të shohin është zbatim i plotë dhe i tërësishëm nga të dy palët të të gjitha detyrimeve sipas marrëveshjes bazë dhe aneksit të zbatimit”, ka thënë Hovenier për T7.
Sa i përket asaj se ku qëndron procesi i negociatave aktualisht, Hovenier ka thënë se e ka të vështirë të japë një përgjigje specifike meqë është punë e Lajcakut, por thotë se pas takimeve që janë zhvilluar së fundi në Bruksel ka një ngushtim të dallimeve mes Kosovës dhe Serbisë.
Porosia për Kosovën e Serbinë
Ambasadori amerikan në këtë intervistë për T7 ka theksuar rëndësinë që ka fakti se përfaqësues të pesë shteteve evropiane janë angazhuar në hartimin e një draft-statuti për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe dhe letrën e treshes evropiane Scholz, Macron e Meloni. Sipas tij, është diçka e jashtëzakonshme që këto vende po investojnë për të parë teksa Kosova ecë përpara dhe duke ndihmuar Kosovën për të përmbushur obligimin e Asociacionit. Diplomati amerikan ka përmendur gjithashtu edhe obligimin e Serbisë dhe thirrjen për njohjen de-facto të Kosovës.
Komenti për skepticizmin e presidentes Osmani për Draftin
Ambasadori Hovenier ka thënë se presidentja Osmani ka të drejtë të shprehë shqetësimet e saj. Ai tutje ka thënë se Osmani si presidente mund të dërgojë komentet e saj në Gjykatë Kushtetuese, pasi që Drafti të jetë miratuar e të jetë dërguar për rishikim.
Teksa ka përmendur kornizën mbi të cilën SHBA e përkrah themelimin e Asociacionit dhe ka potencuar se është e rëndësishme që të pranohet Drafti dhe më pas të dërgohet në Gjykatë Kushtetuese, meqë është në përgjegjësi të Kushtetueses dhe se askush tjetër s’mund të japë verdikt nëse Drafti është kushtetues apo jo.
“Për këtë arsye, sipas këndvështrimit tim, është mjaft e rëndësishme dhe urgjente që qeveria të përfundojë procesin e saj, ta miratojë atë dhe ta çojë tutje ashtu që Gjykata të vendosë”, ka thënë Hovenier.
Thumbi për partitë opozitare rreth Asociacionit
Numri një i SHBA-së në Kosovë, Jeff Hovennier, është kujdesur që në këtë intervistë për T7 të thumbojë përfaqësuesit e partive politike opozitare. Ai ua ka kujtuar opozitëbërësve në Kosovë kërkesën e tyre që Kurti të bashkëpunojë me SHBA-në për Veriun dhe ka thënë se shpreson që ata të vazhdojnë të qëndrojnë në një pozitë të tillë, duke rikujtuar faktin se Drafti për Asociacionin është hartuar në bashkëpunim të plotë mes fuqive evropiane dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Hoveneir ka thënë se as SHBA-ja s’është e interesuar që të përfshihet në një proces që rrezikon shtetësinë e Kosovës.
“Pra, shpresoj që ata që janë fokusuar që duhet të ketë bashkërenditje dhe harmonizim të mirë me Shtetet e Bashkuara, ndër të tjera, do ta mbajnë po këtë parim edhe për këtë draft-statut dhe që e mbështesin atë, e mirëpresin atë dhe ndihmojnë në avancimin e tij. Këtë e shpresojmë”, ka thënë Hovenier.
Një përgjigje edhe për Kurtin si shef i Qeverisë
Hovenier në këtë intervistë për T7 ka folur edhe për qëndrimin e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, se “pa nënshkrim nuk ka zbatim”. Diplomati amerikan ka potencuar qëndrimin e SHBA-së se “mund të ketë zbatim dhe pa nënshkrime”. Ambasadori ka thënë e sa i përket SHBA-së, obligimet që kanë marrë Kosova dhe Serbia i konsiderojnë ligjërisht obligative dhe se besojnë që edhe Kurti e Vuçiq janë pajtuar kur janë pajtuar për Marrëveshjen Bazë dhe aneksin e implementimit.
“E kam dëgjuar Xhosep Borrellin duke e thënë të njëjtën gjë pas negociatave të Ohrit. Pra, për ShBA-në, për BE-në dhe sërish për BE-në sepse konkluzionet e Këshillit të Evropës i kanë përfshirë marrëveshjen bazë dhe aneksin e zbatimit, ato janë ligjërisht të detyrueshme dhe ne presim që ato të zbatohen në tërësi. Edhe një herë do ta përmend këtë letrën që po i referohem të kancelarit të Gjermanisë, presidentit të Francës dhe kryeministres së Italisë që gjithashtu thotë se është urgjente që të ecet përpara me zbatimin e plotë pa parakushte, pa vonesa dhe që çështjet që kanë të bëjnë me formalitetet apo formulimin nuk duhet të na shpërqendrojnë nga puna e rëndësishme për të ecur përpara me zbatimin e plotë dhe në tërësi”, ka thënë ai.
Mesazhi për Serbinë
Ambasadori Hovenier në këtë intervistë është pyetur edhe rreth sulmit të armatosur në Banjskë më 24 shtator. Ai ka shtuar se SHBA mendon se autorët duhet të mbahen përgjegjës. Sa i përket situatës së sigurisë dhe çështjes së dislokimit të ushtrisë serbe rreth kufirit me Kosovën, Hovenier thotë se SHBA e përcjell nga afër secilin shqetësim. Ai ka thënë se përkushtimi amerikan për sigurinë e Kosovës shprehet qartë përmes misionit të KFOR-it dhe pjesëmarrjes së SHBA-së në të. Diplomati amerikan ka shtuar se e bën gjumin rehat, kur e di që në Veri të Kosovës është KFOR-i dhe ushtarët amerikanë.
“Pra, unë ende fle mjaft rehat natën duke e ditur që NATO është atje, duke e ditur se ka ushtarë amerikanë në NATO dhe duke e ditur se ata janë të aftë të përballojnë çfarëdo kërcënimi ndaj sigurisë që mund të shfaqet”, ka përfunduar Hovenier.