Një rezultat i tillë, për kandidatin për deputet të kësaj partie, Lumir Abdixhikun, nuk lë kurrfarë hapësirë për të bërë ndonjë koment.
Abdixhiku ka thënë se LDK përfundoi në një rezultat të tillë meqë disa zëra brenda partisë nuk u dëgjuan me kohë.
“Rezultati flet vet dhe s’lë hapësirë për asnjë interpretim. Fatkeqësisht zërat tonë s’u dëgjuan me kohë dhe si rrjedhojë përfunduam në rezultatin më të ulët historik”, ka thënë Abdixhiku për Gazetën Express.
Megjithatë ai thotë se Lidhja Demokratike e Kosovës do ta gjejë rrugën përpara, por pa improvizime.
Kjo rrugë përpara siç thotë Abdixhiku duhet gjetur duke respektuar të shkuarën dhe ndërtuar të ardhmen për Kosovën dhe LDK’në.
“LDK do të gjejë rrugën përpara, pa improvizime më, duke respektuar të shkuarën por duke ndërtuar të ardhmen për vendin dhe vetveten”, ka përfunduar Abdixhiku për Gazetën Express.
Përgjatë fushatës zgjedhore, sa ishte i ftuar në emisionin Pressing, Abdixhiku kishte premtuar se do të kërkonte llogari dhe përgjegjësi brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës për rezultatin që do të merrnin në zgjedhje.
Po në këtë intervistë Abdixhiku ka treguar se kishte qenë i mendimit që Lidhja Demokratike e Kosovës të mos marrë primatin e qeverisjes pas rrëzimit të Albin Kurtit nga pozita e kryeministrit.
Si pasojë rezultatit të 14 shkurtit, kryetari i partisë Isa Mustafa bashkë me gjithë kryesinë e LDK’së kanë dhënë dorëheqje dhe pritet që LDK shumë shpejtë të ketë udhëheqësinë e re.
Janë përfolur disa emra për kryetar, përfshirë edhe vetë Abdixhikun, megjithatë ende s’ka asgjë të qartë në këtë drejtim.