13 vjeçari nga New York Daniel Fitzpatrick ka varur veten pasi siç ka shkruar ai në letrën e lënë për prindërit e tij, shokët e shkollës u tallën me të.
Danieli la pas një shënim tragjik ku shpjegon arsyet që e çuan të vetëvritet. Aty thuhet se miqtë e tij në Akademinë Katolike: ”Engjëjt e Shenjtë” nuk i flisnin më dhe talleshin me të. Talljet përfundonin në zënka dhe ai përballej përherë me të njëjtën situatë, edhe pasi u tregoi mësuesve sesi ndihej në atë ambient.
“U dorëzova! Mësuesit … ata nuk bënë asgjë!”- shkruan ai. Nëna e Danielit u shpreh për “New York Daily News”: “Djali im nuk duhej të vdiste. Zëri i tij duhej të dëgjohej!”.
Ndërsa babai i Danielit postoi një video në Facebook, ku u drejtohet prindërve të atyre që i kanë ngacmuar djalin. Ai pohon mes lotëve:
“Për prindërit e djemve që kanë torturuar djalin tim… Shpresoj që mos ta përjetoni kurrë atë që familja ime po ndjen tani.
Ju mund t’i përqafoni fëmijët tuaj çdo ditë, çdo natë të jetës suaj normale. Unë s’mund ta bëj më këtë. Përbindëshat tuaj të vegjël e larguan atë nga unë dhe gruaja ime.”
Familja e Danielit po zhvillon një fushatë për të mbledhur para për shpenzimet e funeralit të Danielit. Ata deklarojnë se paratë që do të teprojnë, do t’ia dhurojnë një organizate që merret me ndërgjegjësimin e njerëzve që tallen me të tjerët dhe me parandalimin e vetëvrasjeve. Deri tani ata kanë mbledhur 80,000 dollarë.