Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, ka theksoi se masat që po përgatiten në Bashkimin Evropian ndaj Serbisë, për shkak të konfliktit të armatosur në Banjskë, nuk janë të drejtuara kundër qytetarëve të Serbisë dhe se futja e tyre varet nga bashkëpunimi i pakushtëzuar i Serbisë në hetim.
Ajo beson se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kontrollon shumë gjëra që ndodhin në vend dhe se është e vështirë të besohet se ai nuk e dinte se çfarë po ndodhte për blerjen e armëve apo organizimin e grupit që ishte në Banjskë.
Në një intervistë për gazetën serbe “Nova”, Von Cramon ka theksuar se çdo masë duhet të dëmtojë regjimin në pushtet në Serbi, duke theksuar se janë të arsyeshme kritikat se Bashkimi Evropian shpeshherë është treguar i butë ndaj Vuçiqit dhe Qeverisë së Serbisë.
Sipas eurodeputetes ndaj Serbisë po përgatiten masa ndëshkuese, e pyetur se për çfarë masash bëhet fjalë, Von Cramon ka thënë se nuk mund të jap detaje pasi gjithçka ende është konfidenciale dhe po zhvillohen diskutime.
Në pyetjen nëse është Vuçiq partneri i vetëm dhe i besueshëm i BE-së nga Serbia dhe me kë nga Serbia do të duhet të flasë BE-ja, Cramon tha se “ai nuk ka qenë kurrë i vetmi, por besueshmëria e tij pas 24 shtatorit është shumë e diskutueshme. Ne bashkëpunojmë me një gamë të gjerë aktorësh në Serbi, duke përfshirë shoqërinë civile, liderët e opozitës dhe zyrtarë të ndryshëm”.
Ndërsa në pyetjen nëse Vuçiq të shmangë trajtimin e çështjes së Kosovës duke shpallur zgjedhje në Serbi, eurodeputetja tha se “nuk mund të them se çfarë mund të shmangë apo të vendosë si çështje zgjedhore”.
“Në përgjithësi, do të dëshiroja që bisedimet Serbi-Kosovë të përfundojnë dhe të gjithë ne të ecim përpara sepse kjo pengon ‘pengjet’ e të dyja shoqërive të merren me çështje ekzistenciale”, tha Von Cramon.