Suhareka është renditur ndër komunat më jotransparente në një indeks të publikuar nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI).
Kryetari i kësaj komune, Bali Muharremaj, tha në Frontal të T7 se duhej të ishin renditur të tretët për nga transparenca.
“Unë kisha mendu që ajo listë që është bërë duhet të kthehet për 360 shkallë, me dalë të tretët”, tha ai.
Për listën e komunave më transparente, Muharremaj tha se u njoftua përmes mediave, ndërsa u shpreh i habitur me rezultatin.
“Unë informatën sot e kam parë në portale dhe me thënë të drejtën nuk pajtohem në asnjë aspekt, për arsye se ne para disa ditëve morëm grantin e performancës 520 mijë euro, jemi zgjedhur nga USAID-i një ndër komunat më të mira”, tha ai.
Muharremaj tha se është transparent dhe se është “çdo ditë me qytetarët”, duke pyetur se “si ka mundësi” që komuna të cilën ai e udhëheq të renditet aq poshtë.
“Nuk di qysh duhet të jemi më transparent”, tha Muharremaj.