Ish i dërguari i posaçëm i ShBA-ve për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell ka akuzuar Administratën Biden për dështim në diplomaci në raport me dialogun Kosovë-Serbi.
Në një koment të bërë në Twitter pas marrëveshjes së arritur për targat mes Kosovës dhe Serbisë, Grenell ka shprehur kritika mbi mbulimin e ngjarjeve diplomatike nga gazetarët amerikanë, sidomos duke iu referuar mosprezencës amerikane brenda takimeve dialoguese Kosovë-Serbi.
“Gazetarët në Uashington vazhdojnë të injorojnë këtë kolaps në diplomaci dhe në lidershipin amerikan. Populli i Ballkanit nuk duhet të injorohet nga Joe Biden dhe ekipi i tij”, ka shkruar Grenell.
ShBA-të i kanë dhënë përkrahje kryenegociatorit të Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak, në kryesimin e negociatave mes palëve.
Sot, zëvendësndihmës sekretari i Shtetit amerikan, Gabriel Escobar, u takua me Lajçak menjëherë pas njoftimit për arritjen e marrëveshjes. L
idhur me takimin, Lajçak tha se “është i rëndësishëm” unifikimi me ShBA-të në raport me veprimet ndaj dialogut Kosovë-Serbi.
Lajçak, ka konfirmuar sot gjatë ditës se është arritur një marrëveshje për targat mes Kosovës dhe Serbisë.
Sipas marrëveshjes, forcat e njësisë speciale të Policisë së Kosovës të vendosura në Jarinjë e Bërnjak, do të largohen njëkohësisht me bllokadat në rrugë, më 2 tetor në orën 8:00 dhe gjithë kjo tërheqje do të përfundojë maksimalisht deri në orën 16:00.
KFOR-i do të vendoset në Jarinjë e Bërnjak para se të nisë largimi i sinkronizuar dhe do të qëndrojë për dy javë për të mbajtur ambient të sigurt dhe lëvizje të lirë
Në pikën 2 të marrëveshjes, nga 4 tetori, ora 8:00, hyn në fuqi regjimi i letrave ngjitëse me të cilat do të mbulohen elementet shtetërore në targat e veturave të Kosovës dhe Serbisë.
Tash e 11 ditë rrugët që çojnë në Jarinjë e Bërnjak janë bllokuar nga serbët, të pakënaqur me masën e reciprocitetit të vendosur nga Qeveria e Kosovës për targat.
Nga 20 shtatori, veturat me targa të Serbisë, kur janë futur në Kosovë është dashur t’i marrin të përkohshme RKS, ndërkohë që këtë praktikë Serbia e ka tash e mbi 10 vjet.