Situata në veri vazhdon të jetë e njëjtë, pas vendimit të Qeverisë së Kosovës që çdo automjet që hyn në Kosovë nga Serbia të ketë të vendosura targat e përkohshme.
Serbët për të kundërshtuar këtë vendim vendosën barrikada të shumta në rrugët që çojnë drejt pjesës kufitare në Bërnjak dhe Jarinje, duke i lënë të bllokuar këto dy pika kufitare tash e njëmbëdhjetë ditë, shkruan Reporteri.net.
Ata kanë vazhduar të qëndrojnë edhe gjatë natës së mbrëmshme në këto dy pika kufitare, ku situata aktualisht vazhdon të jetë e qetë.
Në përpjekje për të shtensionuar situatën, një takim i nivelit të lartë ndërmjet Kosovës e Serbisë është zhvilluar dje në Bruksel.
Besnik Bislimi, zëvendëskryeministër në Qeverinë Kurti, gjatë ditës së djeshme ka bërë të ditur është finalizuar një draft dokument për zgjidhjen e çështjes së targave mes Kosovës dhe Serbisë. Marrëveshja sipas tij, është arritur me ndërmjetësimin e Përfaqësuesit të Posaçëm të Bashkimit Evropian, Mirosllav Lajçak, mirëpo të dyja delegacionet, ai i Kosovës dhe i Serbisë nuk kanë zhvilluar takim të përbashkët.
Ai nëpërmjet një shkrimi në Facebook, ka thënë se draft dokumenti përmban tri pika që parasheh që serbët të largojnë barrikadat, Kosova të tërheq Njësitë Speciale nga Veriu dhe aty të vendosen forcat e KFOR-it.
Mirëpo, Petar Petkoviq, kryesues i delegacionit të Serbisë në dialog me Kosovën ka thënë se ende nuk është arritur marrëveshje për targat ndërmjet dy vendeve.
Ndërkohë, edhe sot pritet të vazhdojnë bisedimet për targa në Bruksel, derisa pala serbe ende nuk ka konfirmuar nëse do të marrë pjesë në këtë takim.