Eksperti i sigurisë Agim Musliu ka folur për situatën në veri të Kosovës.
Musliu në “Debat Plus” thotë se edhe ardhja e rusëve në Kosovë është pjesë e planit.
“Këto veprime kemi mundur t’i shohim edhe ne Maqedoni e Mal të Zi në të kaluarën”, tha ai.
Ai thotë se deklarata e Vuçiqit se gjoja “situata në Kosovë është shumë e rrezikshme”, ishte deklarata e parë e këtij plani propagandistik.
“Pas deklaratave të Vuçiqit, vjen propaganda ruse përmes portalit Kosovo Online, që është degë e Sputnikut. Kam një lutje për mediat kosovare që të mos citojnë këtë media pasi është pjesë e propagandës ruse”.
Musliu thotë se kamionët që kanë bllokuar rrugët janë të kriminelit Zvonko Veselinoviq.
Ai thotë se në veri është e qartë që janë të implikuar edhe shërbimet sekrete ruse.
“Dikiçi është në terren duke i koordinuar veprimet e këtyre njerëzve që janë në barrikada. Dikiçi ka qenë pjesë e xhandarmërisë, e xhandarmëria serbe është pjesa e më e ndikuar nga shërbimet sekrete ruse”.
I pyetur nëse janë të vërteta këto gjëra, Musliu thotë se po të ishte e kundërta nuk do të fliste publikisht.
“Nuk është asgjë më sekrete. Grupet e caktuara edhe në Mal të Zi dhe që kanë vepruar atje por edhe nga Serbia janë duke vepruar në Kosovë dhe janë duke u koordinuar nga Dikiç dhe shërbimet sekretë ruse e serbe”, deklaroi Musliu.