Ish deputeti Milaim Zeka në zgjedhjet e 6 tetorit i hyri garës me partinë e tij, mirëpo doli me një rezultat dëshpërues. Partia Euroatlantike e Kosovës mori 0.14 për qind, ose 1078 vota.
Edhe pse nuk është ndarë i kënaqur me rezultatin, Zeka nuk e ka në plan të dorëzohet.
Në një prononcim për lajmi.net, ai ka thënë se nuk ka asnjë arsye me u tërheq.
“Nuk kam asnjë arsye me u tërheq përkundrazi. Së pari angazhimi im do jetë brenda partisë, subjektit ku jam pastaj të shohim varet prej ofertave në të ardhmën”, ka deklaruar Zeka.
I pyetur për mundësinë e aderimit me ndonjë parti tjetër, ai ka thënë se nuk ka nevojë ta bëj një gjë të tillë.
“Me aderu nuk kam nevojë por po them se mund të kontribuoj në të ardhmen pasi ka me qenë proces i rëndë përpara. Për momentin jam duke e konsoliduar partinë dhe i jam kthyer jetës familjare, më kanë munguar shumë fëmijët gjatë këtyre muajve të fundit”, ka përfunduar Zeka.
Javën e kaluar Zeka dha një intervistë për lajmi.net ku foli për çështjet politike dhe zhvillimet në vend.
Ai dha detaje të cilat nuk janë bërë publike nga takimi i 1 qershorit i njohur si “Samiti i Berlinit”, nën patronatin e kancelares gjermane Angela Merkel dhe presidentit francez, Emanuel Macron.