Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka bërë shpalosjen e të gjeturave nga raporti i monitorimit të punës së Kuvendit të Kosovës për sesionin pranveror 2021
Angesa Haxhiu nga ky institut, ka thënë se Kuvendi gjatë sesionit pranveror është karakterizuar me ritëm të ngadaltë të punës, por me performacë më të mirë.
Haxhiu, po ashtu ka treguar se kësaj radhe është shënuar numër më i vogël i seancave të mbajtura me gjithsej 23 të tilla ku prej tyre 16 kanë qenë të rregullta, katër të jashtëzakonshme dhe dy solemne.
Me tej Haxhiu ka thënë se problematikë e seancave gjatë kësaj periudhë është parë mungesa e deputetëve.
“Një problematikë është mungesa e shumtë e deputeteve në seanca. Deri në fund të muajit korrik deputetet kanë munguar 440 herë. Komisoniet parlamentare kanë treguar performacën më të mirë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar”, është shprehur ajo.
“Kuvendi ka shënuar numër më të ulët të ligjeve të miratuara prej tyre vetëm 7. Qeveria ka proceduar vetëm 27 projektligje. Në mungesë të votave të mjaftueshme dy marrëveshje ndërkombëtare kane arritur të votohen vetëm pas tentativës së tretë”.
Gjithashtu, Haxhiu, ka thënë se këtë kohë të punës së Kuvendit e ka karakterizuar shkarkimi i Bordeve.
“Sesionin pranveror e ka karakterizuar shkarkimi i bordeve që ka shkaktuar mospajtime mes pozitës e opozitës, ku janë shkaktuar gjithsej 4 borde”, ka përfunduar ajo.
KDI ka rekomanduar bashkëpunim më të madh të qeverisë me opozitën si dhe çështja e mungesës së deputetëve të rishikohet me ndëshkime.
Komunikata e plotë:
Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka mbajtur sot konferencë për media me rastin e publikimit të raportit të monitorimit dhe vlerësimit të performancës së Kuvendit të Kosovës gjatë sesionit pranveror 2021, e cila u karakterizua me një ritëm të ngadaltë të punës në procesin legjislativ por me performancë më të mirë në rolin mbikëqyrës.
Agnesa Haxhiu vlerësoi se Kuvendi i Kosovës në këtë sesion të punës ka shënuar rritje të lehtë të numrit të përgjithshëm të seancave krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar të legjislaturës së VII-të. Prej fillimit të kësaj legjislature janë mbajtur 23 seanca (duke përfshirë edhe seancën konstituive) prej të cilave 16 ishin të rregullta, katër të jashtëzakonshme dhe dy solemne. Në 13 raste seancat kanë vazhduar për një ditë tjetër ndërkaq tri prej tyre nuk kanë arritur të përmbyllen për shkak të mungesës së kuorumit për t’iu dhënë epilog katër pikave të mbetura nga këto seanca.
“Një problematikë që e ka përcjellë këtë periudhë të punës së Kuvendit ngjashëm si në të kaluarën janë mungesat e shumta të deputetëve në seancë, veprime këto që padyshim që kanë ndikuar në mbarëvajtjen e punimeve plenare. Sipas të dhënave të siguruara nga Kuvendi, deri në fund të muajit korrik deputetët kanë munguar plot 414 herë” shtoi ajo.
Edhe Kryesia e Kuvendit është mbledhur dy herë më shpesh për dallim nga periudha e njëjtë e vitit të kaluar duke mbajtur gjithsej 18 mbledhje, kurse komisionet parlamentare, kanë rritur performancën duke mbajtur 176 mbledhje dhe gjashtë dëgjime publike (rritje prej 31 mbledhjesh dhe pesë dëgjimesh publike më shumë sesa sesionin pranveror 2020).
Agnesa Haxhiu tha që ky sesion është karakterizuar me numër të ulët të ligjeve të miratuara (vetëm 7 sosh) në krahasim me 10 ligjet e miratuara në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. “Në bazë të agjendës legjislative të Kuvendit, janë proceduar 29 projektligje, prej të cilave shtatë janë miratuar ndërsa 22 të tjerë janë në procedurë të shqyrtimit. Në anën tjetër, qeveria ka dështuar të përmbushë planin e saj legjislativ duke dorëzuar vetëm 27 projektligje nga 65 sa kanë qenë të parapara për procedim për periudhën prill –gusht. Këto vonesa kanë ndikuar drejtpërdrejt në dinamikën e punës së Kuvendit në shqyrtimin e tyre”, tha Haxhiu.
Ndonëse në legjislaturën e kaluar ishte sfidë arritja e kuorumit edhe për ligjet bazike që kërkojnë shumicë të thjeshtë të votave, gjithsesi pavarësisht që kjo legjislaturë ka një shumicë të konsoliduar mungesa e kuorumit vazhdoi të jetë prezente. Mospjesëmarrja e opozitës në votim, e ka shndërruar në sfidë kryesore të Kuvendit, arritjen e kuorumit në vendimmarrje në pikat që kërkonin 2/3 e votave të të gjithë deputetëve, siç ishte rasti me ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare. Në mungesë të votave të mjaftueshme, dy marrëveshje ndërkombëtare u ratifikuan vetëm pas tentativës së tretë, ndërsa dy marrëveshje të tjera kanë mbetur në procedurë për votim në seancë pasi që për to nuk ka është arritur konsensusi i nevojshëm mes grupeve parlamentare.
Haxhiu vlerësoi se një tjetër aspekt që e karakterizoi sesionin pranveror ishte procesi i shkarkimit të plotë të bordeve të institucioneve të pavarura dhe shkarkime individuale duke nxitur mospajtime mes shumicës parlamentare dhe opozitës. Pavarësisht këtyre mospajtimeve, Kuvendi me shumicë votash ka shkarkuar bordet e katër institucioneve të pavarura siç janë: bordi i Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), bordin e Radio Televizionit të Kosovës (RTK), bordin e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMSHCK), bordin e Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave (ARH) si dhe një anëtar të bordit të KOSTT-it.
Të dhënat nga monitorimi flasin për ngritje të performancës në ushtrimin e rolit mbikëqyrës në krahasim me periudhën e njëjtë të legjislaturës së VII-të. “Mekanizmin e pyetjeve parlamentare si formë të ushtrimit të rolit mbikëqyrës e kanë shfrytëzuar 39 nga 120 deputetë përmes parashtrimit të 108 pyetje parlamentare drejtuar kabinetit qeveritar, apo 37 pyetje më shumë se në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Nga numri i përgjithshëm i pyetjeve të parashtruara, 89 prej tyre kanë marrë përgjigje nga kabineti qeveritar ose shprehur në përqindje 82% e tyre.
Në kuadër të rolit mbikëqyrës, Kuvendi ka mbajtur dy interpelanca dhe pesë debate parlamentare, janë propozuar shtatë projekt-rezoluta, prej të cilave vetëm një ka marrë përkrahjen e Kuvendit kurse gjashtë të tjera të propozuara nga opozita janë hedhur poshtë. Janë shënuar edhe 31 raportime të ministrave në komisionet përkatëse, që në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar është rritje prej tetë raportimeve më shumë. Ndërkaq lidhur me aktivitetet mbikëqyrëse të zbatimit të ligjeve, mbështetur në planet vjetore të komisioneve përkatëse, për këtë sesion janë planifikuar të mbikëqyren gjithsej 11 ligje. Gjatë kësaj periudhe kohore, Kuvendi ka miratuar vetëm një raport për mbikëqyrjen e ligjit, atij për Shoqëritë Tregtare të përpiluar nga Komisioni për Ekonomi”deklaroi Haxhiu.
Mbështetur në gjetjet dhe vlerësimin lidhur me performancën e Kuvendit gjatë këtij sesionin parlamentar, KDI ka dhënë këto rekomandime:
-Shumica parlamentare gjegjësisht Qeveria duhet të ndërtoj një qasje bashkëpunuese me opozitën në funksion të arritjes së pajtueshmërisë për miratimin e marrëveshjeve ndërkombëtare kur dihet që deri në fund të këtij viti do të shqyrtohen edhe 14 të tilla.
• Çështja e mungesave të deputetëve do të duhej të adresohej përmes Rregullores së re të Kuvendit, ku do të parashiheshin sanksione financiare për deputetët që mungojnë në punime pa arsye objektive dhe atyre që përfitojnë mëditjet pa qëndruar prezent gjatë gjithë kohës sa zgjasin punimet.
• Kuvendi të vendos si detyrë prioritare në sesionin vjeshtor kompletimin e bordeve të shkarkuara pasiqë shkarkimi i plotës i bordeve të atyre institucioneve i ka bërë ato jofunksionale. Ky proces duhet të kryhet në procedurë të hapur, transparente dhe konkurruese ashtu siç e parasheh Kushtetuta dhe ligjet përkatëse në fuqi.
• Numri i ulët i dëgjimeve publike duhet të adresohet dhe përmirësohet, në mënyrë që ligjet e miratuara të gjejnë zbatim në praktikë është më se e nevojshme që Komisionet parlamentare të synojnë përfshirjen dhe konsultim të një numri sa më të madh të akterëve në procesin legjislativ.
• Të përmbyllet procesi i hartimit të rregullores së re të Punës duke shfrytëzuar konsensusin aktual të arritur mes të gjitha grupeve parlamentare. Avancimi i rregullave të brendshme do të ndihmonte Kuvendin në përmirësimin e performancës dhe përmbushjen e mandatit kushtetues.