Rrjeti i OJQ-ve, AVONET ka kërkuar sot nga ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu që të mos ataktoj institucionet e pavarura të drejtësisë dhe të distancohet nga deklaratat, të cilat cenojnë rendin jurididik e kushtetues. Ky reagim vije pas përplasjeve të Haxhiut me Këshillin Prokurorial dhe atë Gjyqësor të Kosovës.
“Rrjeti i OJQ-ve AVONET shpreh shqetësimin e thellë lidhur me deklaratën e Ministres së Drejtësisë znj. Albulena Haxhiu, e cila është shprehur se “nuk do ta mbështesim Këshillin Prokurorial të Kosovës dhe Këshillin Gjyqësor të Kosovës nëse nuk e kthejnë besimin e qytetarëve në institucionet e drejtësisë”. AVONET këtë deklaratë e konsideron skandaloze dhe kërcënuese, sepse një deklaratë e tillë e cenon rendin juridik dhe kushtetues të Kosovës. Institucionet e drejtësisë duhet të jenë të pavarura dhe asnjëherë nuk duhet t’i nënshtrohen pushteteve ekzekutive, e aq më pak të kërcënohen dhe paralajmërohen për detyrat që iu takojnë në bazë të Ligjit dhe Kushtetutes së Republikës së Kosovës”, thekson AVONET në deklaratën për media.
Sipas tyre, kjo qasje e ministres së Drejtësisë duke atakuar institucionet e drejtësisë nuk i kontribuon aspak bashkëpunimit ndërinstitucional, por më shumë sjell dezinformim dhe denigrim të institucioneve të pavaruara.
“AVONET kërkon nga Ministrja e Drejtësisë që të distancohet nga deklaratat e tilla, të mos cenoj rendin juridik e kushtetues, e aq më pak të mos tentoj që t’i kontrolloj instutucionet e pavarura të Republikës së Kosovës”, thuhet në fund të deklaratës.