Qeveria e Tajvanit, javën e kaluar mirëpriti përfshirjen e Grupit të Miqësisë Parlamentare Kanada-Tajvan në Klubin Formosa.
Grupi, i cili udhëhiqet prej deputetes Judy Sgro, ka 89 anëtarë nga Senati Kanadez dhe nga Dhoma e Përfaqësuesve dhe ka ofruar “mbështetje të fortë për demokracinë, sigurinë dhe pjesëmarrjen ndërkombëtare të Tajvanit, thuhet në një njoftim për shtyp nga zyra përfaqësuese e Tajvanit në BE dhe në Belgjikë.
“Anëtarësimi i grupit në Klubin Formosa nënkupton bashkëpunimin parlamentar transatlantik për të mbështetur demokracinë në Tajvan,” thuhet më tej në njoftimin për shtyp.
Zyra përfaqësuese shtoi se “është një kënaqësi e madhe të shohësh një mbështetje në rritje ndërkombëtare për Tajvanin.”
Kryetari i Grupit të Miqësisë së Parlamentit Evropian-Tajvan, Michael Gahler, postoi një video në Twitter për të mirëpritur grupin, duke thënë se: “Në kohë sfidash është mirë të jesh dëshmitar se parlamentarë të zgjedhur nga vendet demokratike i bashkojnë forcat dhe u japin mbështetje atyre vendeve, demokracia e të cilave shihet e kërcënuar nga një shtet njëpartiak me pretendime okupuese”.
Gahler shtoi se është mirënjohës që grupet parlamentare pro-Tajvanit në të gjithë Evropën janë në gjendje të mirëpresin anëtarin e parë transatlantik të klubit. Ndërkohë, Sgro ndau një video duke thënë se “mezi pret të përparohet shumë nga çështjet me interes të ndërsjellë jo vetëm midis Kanadasë dhe Tajvanit, por edhe me shumë anëtarë të tjerë të klubit Formosa”.
Ndërkohë, Ministri i Jashtëm i Tajvanit, Joseph Wu, në një video-mesazh thotë se u ndje “i emocionuar kur pa një partneritet kaq të fortë transatlantik në mbështetje të Tajvanit”.
Ai tha se dega evropiane e Klubit Formosa (“Formosa Club” u krijua në tetor të vitit 2019 nga grupet parlamentare pro-Tajvanit në BE, në Gjermani, në Francë dhe në Mbretërinë e Bashkuar. Që atëherë, ajo është zgjeruar në më shumë se 130 anëtarë duke krijuar kushte dhe përkrahje për pjesëmarrjen ndërkombëtare të Tajvanit,” tha ai.
Wu tha se suksesi i Klubit Eevropian Formosa ka frymëzuar krijimin e kapitujve rajonalë në Afrikë, në Azinë Perëndimore, në Amerikën Latine, në Karaibe dhe në Indo-Paqësor. Ai shtoi se është i kënaqur të shohë aleatët që shprehin fuqishëm mbështetjen për Tajvanin, dhe se kombi i Azisë Lindore “do të vazhdojë të punojë ngushtë me partnerë në të dy anët e Atlantikut për të promovuar më tej vlerat universale të të drejtave të njeriut, të demokracisë dhe të sundimit të ligjit”.