Dhjetë persona kanë humbur jetën dhe 30 të tjerë janë lënduar si pasojë e një aksidenti që ka ndodhur mëngjesin e sotëm, rreth orës 06:00, në Slavonski Brod, në Kroaci, në të cilin ka qenë i përfshirë një autobus nga Kosove.
Dy nga personat që i kanë mbijetuar këtij aksidenti kanë treguar sesi ka rrjedhur ngjarja.
“Ka ndodh brenda një minute. Vetëm kemi parë se është rrëzuar autobusi. Kemi parë kiamet. Shoferët kanë qenë në gjumë. Ata janë ndërruar kohë pas kohe”, ka thënë njëri prej të mbijetuarve për RTK-në.
Një tjetër pasagjer i cili ishte brenda autobusit që u aksidentua, tregoi se të lënduarit janë mirë.
“Autobusi ka shkuar zvarrë diku rreth 100 metra. Të lënduarit janë më mirë”, ka pohuar edhe njëri prej lënduarve.
Ndërkohë, kryeministri Albin Kurti është nisur drejt Kroacisë ku do të vizitoj edhe të lënduarit që po trajtohen në spital.