Gjykata Speciale ka filluar me lejimin e vizitave të familjarët për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ku i pari që ka takuar familjen e tij ishte Jakup Krasniqi.
Gresa Krasniqi, e bija e Jakup Krasniqit, përmes një postimi në rrjetin social Instagram, ka shkruar rreth takimit që ka pasur pas tetë muajsh me babain e saj.
“Për 8 muaj e 12 ditë ëndërruam përqafimin tënd e ledhatimet e tua. Sot në prehrin tënd mu qetësua shpirti Babi. Harruam gjithçka. Harruam dhimbjen, pritjet, vuajtjet. Jeta është e padrejtë me njerëzit e mirë. Sa i mirë je ti babi, sa shumë padrejtësi durove. E kisha ëndrru këtë moment herë në gjumë e herë me sy qel. Para pasqyrës, çdo mëngjes i përsërisja fjalët që do t’i thoja, para teje u bëra e heshtur. Sa na kishe munguar! Sa e rënd ishte të shoh aty, por të pash më të fort se herëve tjera, megjithëse përballeshe me të tjera padrejtësi të pash më të buzëqeshur se herëve tjera, mjekra e bardhë që ti numëron vitet plot vuajtje të ka bërë edhe më të pashëm”, ka shkruar ajo në Instagram.
Tuje, ajo ka shkruar “ti nuk kthehesh babi, kisha lexuar shumë shkrime nga ish të burgosur, që tregonin historitë e tua sikur të një superheroi.
“U binda babi, ti nuk thehesh. Ti bëhesh më i fort, e kjo më gëzoi. Sa na kishe munguar. E di, ti edhe njëherë i duhesh Kosovës dhe UÇK-se. Por, na duhesh edhe neve. Padrejtësia babi, vret më shumë se plumbi. U ç’mallem thua, po ky mall vështirë se kalon. Të duam”, përfundon shkrimi i Gresa Krasniqit.
Ndryshe, më 9 nëntor, në paraqitjen e tij të parë, Jakup Krasniqi ishte deklaruar i pafajshëm për akuzat që i vihen në barrë.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.
Sipas akuzës së ngritur, së paku midis marsit 1998 deri në shtator 1999, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe anëtarë të tjerë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët kishin qëllimin e përbashkët për të siguruar dhe ushtruar kontroll mbi të gjithë Kosovën përmes metodave që përfshinin frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e paligjshëm të atyre që konsideroheshin si kundërshtarë.