Me medaljen “Me BESIM NË ZOT, ATDHE E SHTET”, kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka nderuar së fundmi familjarët e të rënëve për liri. Përveç vizitave të shumta në familjet e të rënëve për liri, së fundmi ai ka ndarë edhe medalje për ta.
Megjithatë, për vizitë Haradinaj nuk i ka shkuar familjes së gjeneralit Shaban Shala, ndonëse familajrë të tij thonë se kanë një lidhje shumë të afërt me familjen Haradinaj. Djali i gjeneralit Shala, Xheladin Shala, në një lidhje direkte ditë më parë në emisionin Frontal në T7, ka thënë se Haradinaj po e neglizhon familjen e tij dhe se tashmë që 22 vite nuk e ka vizituar asnjëherë.
E pak ditë pas kësaj deklarate, kreu i AAK-së Ramush Haradinaj, njofton për vizitën e zhvilluar në familjen e dy Heronjve, Shabanit e Bedriut.
“Trimëria, guximi, vendosmëria, ndershmëria, pastërtia dhe besnikëria, janë cilësitë që i përcollën deri në frymën e fundit të dy vëllezërit heronj e gjeneralë.
Kam ndarë sot, për familjen Shala, me motivacionin për kontribut në çështje kombëtare shqiptare, medaljen “ME BESIM NË ZOT, ATDHE E SHTET””, shkruan Haradinaj ndër të tjera.
Postimi i tij i plotë i Haradinajt:
Në familjen e dy Heronjve, Shabanit e Bedriut!
Te Shalajt në Gjergjaj të Drenasit, frymon patriotizmi dhe atdhedashuria.
Evokuam kujtime me vëllain e heronjve, luftëtarin e dalluar të UÇK-së, Elmi Shala e ishte kënaqësi edhe biseda me Nënën Taibe, e cila jeton me dhembjen dhe krenarinë për djemtë e saj.
Ashtu i kujtojmë dhe ne.
Bedriun e shumë betejave deri në rënien e tij heroike në ballafaqim me armikun në mbrojtje të Junikut me 10 gusht 1998. Emri i tij u nderua nga Brigada 134 “Bedri Shala” e ZO të Dukagjinit.
Shabanin e organizimeve për liri e çlirim. Bashkëndërtuesin e tri ushtrive, UÇK-së, TMK-së e FSK-së.