Tajvani është një nga vendet më të vogla në Azi, por një nga më të pasurit në botë. Në Tajvan ka shumë rrokaqiej dhe ndërtesa industriale, por ka edhe shumë peizazhe piktoreske që nuk duhet t’i humbisni. Lexoni më poshtë disa arsye pse do ta donit Tajvanin.
Tajvani njihet si Republika e Kinës ose Taipei Kinez. Megjithëse pretendon pavarësinë e saj, Republika Popullore e Kinës ende nuk e njeh atë si të pavarur dhe refuzon që vendet e tjera të kenë marrëdhënie me të. Kështu, shumica e vendeve kanë marrëdhënie jozyrtare. Mjaft me politikën, por pale le të shohim pse do ta donit këtë vend.
Politika e vizave
Siç e dini, Azia Lindore është mjaft e shtrënguar kur bëhet fjalë për t’u vizituar-shumica e vendeve kërkon viza hyrëse. Në Hong-Kong dhe në Macau disa vendeve nuk u kërkohet viza, por ju duhet ta kryeni tërë vizitën brenda një jave. Politika e vizave e Tajvanit është pak e hapur, disa vende mund të vizitojnë Tajvanin pa viza për 14 ditë, disa mund të vizitojnë për më shumë se kaq. Disa vende, gjithashtu mund të marrin viza elektronike online, gjë që është më pak e komplikuar sesa të shkosh në ambasadë. Sigurisht që ia vlen pasi Tajvani është vend mbresëlënës!
Vend shumë i sigurt
Sipas “Numbeo”, një kompani ndërkombëtare e mbledhjes së të dhënave, Tajvani është vendi i dytë më i sigurt në botë pas Katarit. Në të vërtetë, Tajvani ka mundur Japoninë dhe Korenë e Jugut. Është gjithashtu vend liberal për LGBT, pasi martesa me të njëjtën gjini është e ligjshme në Tajvan që nga maji i vitit 2019. Pra, mos u shqetësoni për këtë, ju mund të udhëtoni vetëm ose të udhëtoni pa fshehur identitetin tuaj këtu.
Peizazhe mahnitëse
Tajvani nuk është i tëri vetëm me ndërtesa; shumë vende ju ofrojnë mrekulli natyrore. Për shembull, ju mund të shihni detin e reve në “Alishan Range” ose plazhet me rërë të bardhë dhe ujërat blu të kristaltë në Kenting ose në Green Island. Ky vend ka shumë pamje piktoreske dhe kjo është një nga arsyet pse do ta donit Tajvanin.
Histori interesante
Më shumë se 20,000 vjet më parë, tashmë kishte njerëz që ishin vendosur në Tajvan. Rreth vitit 1544, portugezët kaluan pranë këtij vendi duke e quajtur atë Ilha Formosa (Ishulli i bukur.) Kinezët, holandezët, spanjollët dhe japonezët u vendosën gjithashtu në Tajvan. Kultura e Tajvanit me të vërtetë ka shumë ndikime nga vendet e tjera dhe i ka përshtatur ato me të vetat.
Ushqim i shijshëm
Tajvani është një parajsë për adhuruesit e ushqimit. Këtu do të shijonit shumë lloje të ushqimit. Kryesisht ndikohet nga kuzhina kineze. Kështu që ju mund të hani ushqim autentik kinez ose ushqim kinez të përshtatur në Tajvan. Sidoqoftë, tajvanezët gjithashtu kanë ushqim vendor në zonat e tyre, si Bubble Tea, Beef Noodles ose Bao Bing. Ushqimi në rrugë është gjithashtu i shijshëm dhe i popullarizuar në mesin e banorëve dhe turistëve!
Ndërtesa të mrekullueshme
Mund të thuhet se ndërtesat e Tajvanit janë të larmishme pasi ndikohen nga shumëkush. Ndërsa ecni nëpër qytete dhe vizitoni vendet turistike, me siguri se do të mahniteni prej tyre. Mund të shihni ndërtesat “Fort Zeeland” dhe “Fort Santo Domingo” që kanë influencë holandeze dhe spanjolle, si dhe Teatrin Kombëtar dhe Sallën Kombëtare të Koncerteve nga Rilindja Kineze. Megjithatë, Tajvani ka edhe strukturat e tij moderne, si Taipei 101 dhe Qendra e Ekspozitës Kaohsiung.
Vendasit-shumë miqësorë
Një arsye tjetër pse do ta donit Tajvanin janë njerëzit. Ata janë një nga njerëzit më miqësorë, më të sjellshëm, më mikpritës dhe më të dobishëm në botë. Kjo është një nga arsyet pse ky është një nga vendet më të sigurta në botë! Vendasit do t’ju ndihmojnë në rast se keni nevojë për ndihmë dhe u bëni pyetje atyre. Edhe nëse i humbni gjërat tuaja, ata nuk do t’ua vjedhin ato, dhe thjesht do t’i dorëzonin te stacioni më i afërt. Për më tepër, shumë prej tyre flasin rrjedhshëm anglisht.
Sistemi i përshtatshëm i transportit publik
Nëse udhëtoni në Tajvan, mos u shqetësoni për transportin publik, është relativisht e lehtë të gjeni veten. Binarët rrethojnë tërë vendin, dhe me lehtësi mund ta përshkoni rrugën nga veriu në jug dhe nga lindja në perëndim. Ka edhe autobusë në rast se doni të shkoni në qytete të vogla ose autobusë turistikë për ta bërë udhëtimin më të përshtatshëm për vizitorët. Taipei, kryeqyteti i Tajvanit, që gjendet në veri, gjithashtu ka një sistem metroje dhe një tren me shpejtësi të lartë për në Kaohsiung City (që gjendet në jug).
Klima-e mahnitshme
Tajvani ka klima nëntropikale dhe tropikale. Klima tropikale shoqërohet me shi dhe me diell, kryesisht në pjesën jugore të vendit. Ajo nëntropikale sjell edhe dimër! Kështu që ju patjetër mund të shijoni katër stinë në Tajvan. Gjatë dimrit, mund të shihni dëborë në male, të shikoni lulet e qershisë gjatë pranverës, të shijoni plazhin në verë dhe të shihni gjethet teksa bien në vjeshtë. Ju mund të shkoni kurdoherë atje, megjithëse rekomandohet të shmangni sezonin e tajfunit-nga korriku deri në tetor.
Tregjet argëtuese të natës
Një pjesë e kulturës së tajvanezëve janë edhe tregjet e tyre të natës. Kur ta vizitoni atë, nuk duhet të humbisni një përvojë të tillë. Nga ushqimet e shijshme të rrugës te veshjet e modës e deri te mjekësia tradicionale-të gjitha do t’i gjenit në Tajvan. Ka shumë tregje të natës në vend dhe secili ka tiparin e vet; kështu që ndoshta do të kënaqeshit sikur të shkoni çdo natë në tregje të ndryshme. Dritat e shumta, bashkë me zërat e shumtë dhe lëvizjet e shumta, e bëjnë atë magjik dhe është një arsye më shumë pse do ta donit Tajvanin.
Çaj flluskë
Çajin flluskë ose çajin e qumështit kushdo që e ka provuar, me siguri i ka pëlqyer. Kjo pije në fakt e ka origjinën në Tajvan nga vitet 1980 dhe ka bërë bum në botë me shijen dhe popullaritetin e saj. Me patjetër duhet të pini një ose dy pasi kjo pije është një krenari e vendit dhe shija e saj është thjesht e mahnitshme.
Tajvani është i nënvlerësuar
Jo shumë njerëz mendojnë të vizitojnë Tajvanin, edhe pse ky vend ka shumë për të ofruar. Atëherë, pse të mos vini këtu? Vendet nuk janë të mbipopulluara me turistë, kështu që ju do ta shijonit vizitën më së shumti me shokë. Gjithsesi, do ta dashuroni!
Këto janë 12 arsye pse do ta donit Tajvanin. Vizita në “zemrën e Azisë” do të mbetet e paharrueshme. Shijojini udhëtimet tuaja! /Demokracia.com/