Rrjeti i Grave të Kosovës ka reaguar pas anulimit të dënimit me burg të përjetshëm për vrasjen e gruas në Kamenicë nga Nuhi Mavrovqani,
Sipas reagimit të Rrjetit të Grave, dhuna ndaj grave vazhdon të mbetet një nga format më pak të ndëshkueshme të dhunës.
“Para pak ditësh, u bë publik lajmi se zyrtari policor R.Sh për afro gjashtë muaj me radhë kishte sulmuar seksualisht një vajzë të mitur në Gjilan, kurse sot Gjykata e Apelit e ka anuluar dënimin me burgim të përjetshëm për Nuhi Mavrovqanin, që vrau gruan e tij me shufër metalike, në korrik të vitit 2020 në fshatin Berivojcë të Komunës së Kamenicës. Në të dy këto raste, si në shumë raste të tjera të dhunës ndaj grave në Kosovë, institucionet që kanë për detyrë të mbrojnë jetën e qytetarëve, po dështojnë ta bëjnë këtë, e madje edhe po e rrezikojnë atë drejtpërdrejt”, thuhet ndër të tjera në reagim.
Po ashtu, përmes reagimit thuhet se nga viti 2019 dhuna në familje është definuar si vepër penale falë përpjekjeve të disa organizatave të grave, por që ende institucionet po ngurrojnë të japing dënime meritore për vrasësit e dhunuesit e grave.
“Përkundrazi, duke ndjekur këtë kulturë të mosndëshkimit, institucionet po e nxisin vazhdimin e dhunës, përdhunimit e të vrasjes së grave. Rrjeti i Grave të Kosovës shpreh indinjatë të thellë për këto dy raste, duke u zotuar njëherësh që do të ngremë zërin për të kërkuar drejtësi, ashtu si për çdo grua tjetër të dhunuar e të vrarë. RrGK nuk do të ndalet derisa dhuna ndaj grave të mos trajtohet vetëm si lajm ditor apo si çështje private. Drejtësi për gratë e vrara! Drejtësi për secilën grua të vrarë e të dhunuar”, thuhet më tej në reagim.
Gjykata e Apelit e ka anuluar sot aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Gjilan me të cilin Nuhi Mavroqanit i ishte shqiptuar dënim i përjetshëm për vrasjen e bashkëshortes së tij.