Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka paraqitur sot disa fakte me të cilat pretendon se drejtori i Shërbimit Korrektues të Kosovës ka bërë shkelje ligjore, duke lidhur kundërligjshëm kontrata, shkruan Gazeta Express.
Kështu ajo ka bërë kërkesë sot tek Këshilli Shtetëror për Vlerësim dhe Disiplinë që të shqyrtojë veprimin e drejtorit Thaçi dhe të vendos për shkarkimin e tij.
“Unë si ministre nuk kam të drejtë që ta shkarkojë, por kërkesa do t’i shkojë Këshillit Shtetëror për Vlerësim dhe Disiplinë dhe kur analizohen faktet që do t’i procedohen sot nga Ministria e Drejtësisë bazuar në faktet mund të kërkojë shkarkimin e z. Thaçi dhe ta shkarkojë atë. Në përbërje të këtij Këshilli janë njerëz që nuk i kemi emëruar ne por qeveritë e kaluara”, ka thënë ajo në një konferencë për media.
Por kush është Nehat Thaçi?
Reklamë
Që nga 27 prilli i vitit 2018, Nehat Thaçi është duke e ushtruar detyrën e drejtorit të Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës.
Kolonel Thaçi deri në atë kohë ishte drejtor në Drejtorinë Rajonale të Policisë në Mitrovicë, pozitë kjo të cilën e ushtronte nga viti 2011.
Shkollimin e mesëm e kreu në shkollën e mesme “Ulpiana” në Lipjan, drejtimi “Matematiko-Natyrorë”. Ai ka përfunduar studimet në drejtimet “Kriminalistikë” (bachelor) dhe “Juridik” në Universitetin AAB, derisa vazhdon akoma të studioj në Universitetin e Prishtinës, fakulteti Ekonomik.
Sa i përket përvojës policore, Thaçi hyn në gjeneratën e katërt të Policisë së Kosovës, duke diplomuar më 27 mars të vitit 2000.
Nga diplomimi ai ishte polic patrullues në Stacionin policor në Lipjan, kurse në vitin 2001 u emëruar udhëheqës ndërrimi në sektorin e patrullës në po këtë stacion.
Në vitin 2012, Thaçi u bë zëvendëskomandant në Stacionin policor të Lipjanit, për të kaluar në vitin 2003 në Stacionin policor të Suharekës, si komandant i stacionit.
Pas dy vitesh, më 2005 ai u kthye përsëri në stacionin policor të Lipjanit, tani si komandant i stacionit, por po atë vit nisi të punoj në Administratën e Policisë së Kosovës.
Në vitin 2006, ai u emëruar zëvendëskomandant rajonal në Mitrovicë, për të kaluar menjëherë në zëvendëskomandant rajonal për operativë, komanda rajonale në Ferizaj.
Pas tri vitesh, më 2009 Thaçi bëhet drejtor rajonal në Drejtorinë Rajonale të Policisë Kufitare të veriut, për t’u bërë drejtor rajonal në Policinë e Mitrovicës, pozitë të cilën e kishte deri tani.
Në karrierën e tij, Thaçi nisi të gradohet qysh më 29 qershor të 2001-tës kur u bë rreshter, pastaj mori gradën e togerit më 30 maj të 2002-tës.
Pas një viti, më 23 shtator të 2003-tës, ai u bë kapiten, kurse më 6 maj të 2005-tës u bë me gradën major. Para 12 vitesh, më 17 shkurt të 2006-tës, Thaçi gradohet si nënkolonel.
Nehat Thaçi me 29 shtator 2016, është arrestuar bë pikën kufitare në Konçul, mbi bazën e një fletëarresti të Gjykatës së Lartë në Nish, nën dyshime për veprën penale “të terrorizmit”.
Nga autoritetet e drejtësisë Serbe, i patën caktuar masën e paraburgim prej një muaj.
Pas arrestimit të Thaçit, Kuvendi i Kosovës pati miratuar një rezolutë, me të cilën kërkohej lirimi i menjëhershëm, dhe i kërkohej “Bashkimit Evropian që përmes mekanizmave të tij detyrues të ndërhyjë tek Qeveria e Serbisë që të lirohet Thaçi”
Ai bëri edhe vizita studimore jashtë vendit nga viti 2003. Ai e nisi me vizitën në Gjermani, për të vazhduar me SHBA-të, Poloninë, Turqinë dhe Irlandën e veriut.
Drejtori i porsaemëruar kreu edhe trajnime të shumta. Më 2000-tën ai mbajti një kurs bazik, më 2001 kreu kursin e vozitjes bazike, kursin e vijës së parë të mbikëqyrjes, atë për dhunë familjare, kursin e gjuhës angleze, menaxhim dhe komunikim, trajtimin për planifikim operativ etj.
Po ashtu, Thaçi mori mirënjohje e medalje nga zyrtarë e institucione si nga UNMIK-u, KFOR-i, drejtori i përgjithshëm i policisë, medalje për shërbim të besnikërisë, letërfalendërim nga EULEX-i, ambasada amerikane etj.
Në biografinë e tij figuron se ai di punën me kompjuter, ka njohuri për gjuhën angleze dhe atë serbo-kroate.
Thaçi ka lindur më 1 dhjetor të 1976 dhe është i martuar.