Prej disa kohësh, proceset gjyqësore në Gjykatën Administrative të Vlorës po zvarriten, ndërsa qytetarët presin të bëhet drejtësi.
Pavarësisht mangësive, shkaku i këtij ngërçi është krejt i paprecedentë dhe nuk lidhet me arsye teknike, por me gjyqtarin Bevis Shehaj, i cili është në konflikt me kolegët.
Në shkelje flagrante të etikës së punës dhe modelit që duhet të përçojë tek qytetarët, gjyqtari Bevis Shehaj është përfshirë në një sherr adoleshentësh, duke goditur me grushte kolegun e tij.
Ndërsa pamjet janë filmuar edhe nga kamerat e sigurisë, gjyqtari Shehaj ka fyer dhe ka goditur me grushte kolegun e tij, gjyqtarin Ken Dhima.
Skandali thellohet më tej, pasi pavarësisht se punojnë në të njëjtën godinë dhe puna e tyre është e lidhur ngushtësisht, sidomos në gjyqet ku duhet të jenë bashkë, gjyqtarët nuk flasin gojarisht me njëri-tjetrin.
Komunikimin zyrtar e kanë vetëm përmes postës elektronike, duke penguar kështu edhe punën e gjykatës.
Shkaku i përplasjes dhe zgjidhja me vetëgjyqësi
Aktualisht në këtë gjykatë janë tre gjykatës, por sjellja e gjyqtarit Bevis Shehaj e ka paralizuar krejtësisht punën.
Ai ka vendosur të bëjë vetëgjyqësi, duke sulmuar me grushte kolegët e tij, ndërsa shkak i i përplasjes janë disa vendime gjyqësore të cilat mesa duket kanë interesa përtej atyre ligjore.
Por si qendron e vërteta? Gjyqtari Bevis Shehaj ka dhënë një vendim në vitin 2020 për të përjashtuar si gjyqtar kolegun e tij Ken Dhima nga një çështje gjyqësore për një konflikt pronësie në një pallat të ri në Lushnjë, e më pas Ministria e Drejtësisë ka marrë një ankesë nga pala tjetër në konflikt kundër gjyqtarit Ken Dhima dhe ndaj tij ka hapur një hetim disiplinor. Hetimi është hapur me muajin shkurt dhe gjyqtari bën përgjegjës kolegun e tij Bevis Shehaj.
Por pavarësisht se kjo çështje mund të zgjidhej në mënyrë ligjore, Shehaj ka vendosur që gjuhën dhe sjelljen e rrugës ta fusë në një prej institucioneve më të larta, duke sulmuar me grushte kolegët e tij.














