Në përpjekje për të shpëtuar punët ndërsa të ardhurat e Vatikanit tkurren, Papa Françesku ka urdhëruar shkurtimin e pagave për kardinalët dhe klerikët e tjerë, përfshirë priftërinjtë dhe murgeshat të cilët punojnë në Selinë e Shenjtë.
Në një dekret të publikuar të mërkurën në gazetën zyrtare të Vatikanit, Papa ka thënë se duke filluar nga prilli, pagat e kardinalëve do të reduktohen për 10 për qind, klerikët me 8 për qind dhe priftërinjve e murgeshave do t’u hiqen 3 për qind nga paga e tyre.
Në dekret është shënuar se financat e Selisë së Shenjtë kanë rënë përgjatë viteve. Përkeqësimin e tyre, sipas Papës, e ka sjellë pandemia me COVID-19 e cila ka ndikuar negativisht në të gjitha burimet e të ardhurave të Selisë, raporton AP.
Papa ka vazhduar duke thënë se e rëndësishme është “ruajtja e pozitave të punonjësve aktual”./