Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë kundër 10 personave, lidhur me veprën penale të krimit të organizuar.
Kjo është bërë e ditur përmes një komunikate për media nga kjo prokurori, shkruan lajmi.net.
“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka ngritur aktakuzë pran Gjykatës Themelore në Prishtinë –Departamenti Speciale, kundër dhjetë personave me inicialet Xh.S., B.S., A.N., G.K., J.B., F.B., F.B., H.B., D.S., dhe Q.I. pasi që dyshohen se gjatë periudhës kohore 03.10.2018 e deri më 09.02.2019, duke vepruar si grup i organizuar kriminal, i udhëhequr nga i pandehuri Xh. S., të pandehurit në bashkëveprim kanë kryer veprën penale “Krim i organizuar nga neni 283 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 lidhur me nenin 281 paragrafi 1, nënparagrafi 1.9 të nenit 273 paragrafi 2 i KPK-së, si dhe veprën penale “Krim i organizuar nga neni 283 paragrafi 1 lidhur me nenin 281 nënparagrafi 1.9 lidhur me veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge nga neni 273 paragrafi 2 dhe 1 të KPK-së, pasi që kanë transportuar qindra kilogram marihuanë”, thuhet në njoftim.
Ndërkaq, të pandehurit B.S., me qëllim që ti shmanget pagesës së tatimeve apo kontributeve të tjera që kërkohen me ligj, me paraqitjen e të dhënave të pavërtetuara duke zhvilluar aktivitetin e tij biznesore në cilësi të personit të autorizuar të biznesit, gjatë periudhës kohore 2014-2018, duke mos i përmbushur në tërësi detyrimet ligjore për dokumentin e shitjeve siç kërkohet me legjislacionin tatimore nga rrjedh se ka bërë shmangie nga tatimi duke e dëmtuar buxhetin e Republikës së Kosovës, në shumën prej 5.945.30 euro. Me këto veprime i pandehuri ka kryer veprën penale “Shmangie nga tatimi” nga neni 307 paragrafi 1 të KPK-së.
Po ashtu, edhe i pandehuri Q.I., me qëllim që ti shmangen pagesës së tatimeve apo kontributeve të tjera që kërkohen me ligj, me paraqitjen e të dhënave të pavërtetuara duke zhvilluar aktivitetin e tij biznesor në cilësi të pronarit të firmës, gjatë periudhës kohore 2014-2018, duke mos i përmbushur në tërësi detyrimet ligjore, ashtu që gjatë aktiviteteve të tij është vërtetuar se të hyrat e deklaruara i ka pasur më të vogla se transaksionet bankare të realizuara nga rrjedh se ka bërë shmangie nga tatimi duke e dëmtuar buxhetin e Republikës së Kosovës, në shumë prej 4.783.01euro.
Me këto veprime i pandehuri ka kryer veprën penale “Shmangie nga tatimi” nga neni 307 paragrafi 1 të KPK-së.