Nënkryetari i Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve, Zoran Popoviq ka deklaruar se kjo akademi ka një qëndrim unik që siç tha ai “Kosova mbrohet nga e vërteta dhe ne e bëjmë atë”.
Sipas tij, raporton N1, përcjell Klan Kosova, secili akademik atje mund të shprehë mendimin e tij ”si ai i shprehur nga kryetari i kësaj akademie, Vladimir Kostiq për Kosovën, dhe se “ky është një mendim privat dhe nuk debatohet”.
Popoviq thotë se ekziston një mendim i pandarë në këtë akademi se siç theksoi ai “agresioni i NATO-s ishte një krim dhe se situata pas kësaj është një rrëmbim i thjeshtë”.
“Tani jemi në një situatë ku qëllimi ynë kryesor është të mbrojmë popullatën në Kosovë, të sigurojmë vazhdimësinë e institucioneve kulturore dhe kishtare atje dhe të mbrojmë trashëgiminë kulturore. Për këtë qëllim, SANU ka bërë ndoshta shumë më tepër se të gjithë institucionet e tjera”, tha Popoviq, transmeton Klan Kosova.
Lidhur me atë se a ka një një qëndrim të unifikuar brenda këtij institucioni për çështjen e Kosovës, Popoviq tha:
“Ekziston një qëndrim i vetëm për të mbrojtur Kosovën me të vërtetën. Ajo për të cilën SANU është përgjegjëse është që të merret me shkencë dhe krijimtari kulturore, dhe në mbrojtje të Kosovës me të vërtetën dhe ky është një pozicion unik në nivelin e tërë Akademisë. Gjë tjetër është deklarimi i anëtarëve tanë”, transmeton Klan Kosova.