Gjatë ditëve të fundit është raportuar për në marrëveshje të mundshme mes Lëvizjes Vetëvendosje të Albin Kurtit dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës të Ramush Haradinajt, nga e cila ky i fundit do të merrte pozitën e kryetarit të Kuvendit.
Megjithatë Pal Lekaj thotë se nuk ka kurrfarë marrëveshje mes dy partive në modalitetin e përfolur, duke shtuar se pa u certifikuar rezultati s’mund të ketë ndonjë koalicion.
Ai ka treguar se dje kanë mbajtur mbledhjen e Kryesisë ku edhe e kanë analizuar rezultatin e zgjedhjeve të fundit, duke theksuar se në diskutimin e tyre mbi tre orësh që kanë pasur s’kanë folur për një marrëveshje potenciale me Vetëvendosjen.
“Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dje ka mbajtur mbledhjen e kryesise ku edhe e kemi analizuar rezultatin e zgjedhjeve të fundit. Diskutimet në kryesi kanë zgjatur mbi tri orë edhe një çështje të tillë nuk e kemi trajtuar. Besoj që vetëm pas çertifikimit të rezultatit zgjedhor mund të flasim rreth kësaj çështje. Unë mendoj që këto diskutime janë duke u trajtuar nëpër koluare të ndryshme joserioze të cilat prodhojnë dezinformata të tilla”, tha Lekaj për Express.
Ai thotë se lajmi për një koalicion mes AAK’së dhe VV’së është vetëm një trillim i radhës.
Kujtojmë se AAK’ja në zgjedhjet e jashtëzakonshme të14 shkurtit ka dalë e 4-ta me 7.4 për qind. Në këto zgjedhje Haradinaj ka garuar me synimin për t’u bërë president.
Nuk dihet nëse do të lëshoj pe nga synimi i tij për karrigen e të parit të shtetit, gjë të cilën e synon edhe Vjosa Osmani si pjesë e listës së VV’së.