Njohësit e politikës së jashtme konsiderojnë që Kosova duhet të krijojë një qëndrim për dialogun Kosovë-Serbi dhe qeveria që pritet të zgjidhet të formojë strategjinë për negociata, ekipin, dhe të artikulojë kërkesat e shtetit të Kosovës në këtë drejtim. Sipas tyre, dialogu me Serbinë është çështja kryesore në politikën e jashtme të Kosovës andaj presin që qeveria e zgjedhur të harmonizojë qëndrimet me opozitën dhe të jenë të përgatitur për këtë temë për të shmangur, siç thonë ata, gabimet që janë bërë në të kaluarën si pasojë e mungesës së konsensusit politik.
Violeta Haxholli nga Instituti Demokratik i Kosovës thotë se qeveria e zgjedhur duhet të krijojë një qëndrim për dialogun dhe të paraqes kërkesat si shtet.
“Duhet që sapo të fillojë punën ekzekutivi i ri ta ketë në plan edhe krijimin e një qëndrimi për dialogun, të artikulojmë kërkesat tona si shtet dhe për këto kërkesa të fillojmë pa humbur kohë lobimin të qendrat kryesore evropiane dhe tek administrata e re amerikane në mënyrë që Kosova të jetë proaktive sa i përket lobimit mbi kërkesat e saj për dialogun. Nuk duhet të gjendemi në situata sikur në të kaluarën ku proceset zhvillohen ndërsa Kosova është e papërgatitur që të përballet me këto procese dhe i mungon një qëndrim zyrtar”, thotë ajo.
Sipas Arbër Fetahut nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, Qeveria e Kosovës që pritet të formohet, duhet të jetë e gatshme dhe e përgatitur qe të formulojë një platformë të qartë dialoguese madje të përfshijë edhe opozitën.
“Duhet të konceptualizohen parimet kryesore, strategjia për negociata, ekipi negociues dhe të shkohet tutje në proces, dhe është mirë të jemi proaktiv mos të jemi gjithmonë defansiv dhe ata që presim ndonjë kërkesë, qoftë nga Serbia, qoftë nga BE, por edhe ne t’i qesim përpara kërkesat tona dhe të jemi sa më proaktiv sidomos tash me ardhjen e presidentit Biden sipas të cilit po shihet që ka një inventivë për ta çuar dialogun më tej dhe me një epilog të favorshëm për Kosovën, nga letra amerikane që është njohja reciproke”, thotë Fetahu.