Drejtori i Klinikës së Onkologjisë, Ilir Kurtishi, ka thënë se rastet me kancer të mushkërive janë në rritje edhe në Kosovë sikurse në vendet tjera.
Për dallim nga vendet e rajonit dhe botës, Kosova më problem e ka zbulimin e hershëm të kësaj sëmundje, njofton Klan Kosova.
“Nëse nuk zbulohet herët dhe nëse nuk mjekohet në mënyrë korrekte atëherë pasojat janë të mëdha që kushtojnë edhe me jetë. Nga viti në viti është tendencë në rritje numri i rasteve i kancereve në përgjithësi. Kosova është më keq në zbulimin e hershëm rrjedhimisht edhe rezultatet janë më pak të favorshme”.
Ai tha se në Kosovë po bëhet një progres i vogël, por i mjaftueshëm në zbulimin e sëmundjes sa më herët dhe më mirë.
Kurtishi tha se pati pacientë të Onkologjisë që ishin duke u trajtuar për kancer në mushkëri dhe u prekën nga COVID-19, por që e kaluan si një infeksion të lehtë.
“Numri i personave që janë trajtuar në Onkologji me kancer të mushkërive dhe kanë pasë koronavirusin njëkohësisht ka shkuar në 300-400 persona”.
Kurtishi foli edhe për simptomat që kanë të sëmurit me kancer të mushkërive.
“Gati se nuk ka shenja. Sëmundja është gati tinëzare në fillim. Por, si simptomat të hershme kemi një kollë të thatë, kollë të përzier me gjak, humbje peshe, humbje oreksi. Kjo vjen në shprehje te ata persona që pinë duhan”.