Ushtruesja e presidentes, Vjosa Osmani, në 32 vjetorin e grevës së minatorëve të Trepçës ka thënë se duhet të punojmë pandalshëm që minatorëve tu krijohen kushte të dinjitetshme e të vlerësohen si duhet për punën e tyre, shkruan Gazeta Sinjali.
Përmes një postimi në Facebook, Osmani ka thënë se, rezistenca e minatorëve ka dridhur themelet e një pushteti sundues që praktikonte diferencimin dhe pabarazinë.
“Sot, në 32 vjetorin e grevës së minatorëve të Trepçës, kujtojmë me respekt luanët e nëntokës, të cilët me rezistencën e tyre arritën të krijojnë solidaritet e unitet popullor në tërë Kosovën. Kërkesat e tyre tejkaluan aspektet sindikale, duke u bërë pikë reference për rezistencë kundër regjimit dhe hegjemonisë serbe. Rezistenca e tyre dridhi themelet e një pushteti sundues që promovonte e praktikonte diferencimin dhe pabarazinë. 32 vite pas, përveç se të kujtojmë tërë këtë sakrificë, duhet të punojmë pandalshëm që minatorët tanë të punojnë në kushte të dinjtetshme e të vlerësohen si duhet për punën e tyre. Fotot nga arkiva e vizitave të mëhershme në Trepçë”, ka thënë Osmani.
“Java e Minatorëve”, që ka nisur sot, këtë vit për shkak të COVID-19 është shënuar më ndryshe për dallim nga vitet paraprake ku çdo herë është organizuar manifestim qendror për nder të grevës historike të minatorëve të “Trepçës” të vitit 1989.
Me rastin e shënimit të përvjetorit të “Javës së Minatorëve” u organizuan disa aktivitete simbolike ku morën pjesë kryetari i komunës Agim Bahtiri, bordi i ndërmarrjes “Trepça” së bashku me menaxhmentin, si dhe disa prej minatorëve.
Ata bënë nderime tek pllaka përkujtimore e punuar nga komuna në shenjë nderimi për të gjithë minatorët e vitit 1989 emrat e të cilëve janë të vendosur në atë pllakë.
Kryetari i Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri, tha se ishin minatorët që me grevën e tyre arritën t’i mobilizonin të gjithë shqiptarët kudo që ishin, dhe se kjo padyshim ishte një nga ngjarjet më të rëndësishme në rrugëtimin drejt lirisë dhe pavarësisë.