Gjatë një takimi me ambasadoren e Maqedonisë së Veriut në Kosovë, Shpresa Jusufi, Kurti tha se gjatë qeverisjes së tij do të përfundohen edhe dy projekte që kanë të bëjnë me Kosovën dhe shtetin fqinj.
“Kryetari Kurti e falënderoi për urimin dhe ndau bindjen që qeveria e re do të formohet shpejt. Ai foli për punësimin dhe drejtësinë si prioritetet kyçe të qeverisjes tonë, dhe për dy projektet që kanë të bëjnë me ndërlidhjen zhvillimore të vendeve tona: autostradën Shkup-Bllacë, dhe korridorin Prizren-Tetovë”, thuhet në njoftimin e LVV’së në rrjetin social “Facebook”.
Njoftimi i plotë:
Ambasadoren e Maqedonisë së Veriut në Kosovë, znj. Shpresa Jusufi, të shoqëruar nga sekretari i tretë, z. Rexhep Limani, i priti sot në takim, kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, njëherazi kandidati për kryeministër, Albin Kurti, bashkë me kandidatin për deputet, Avni Dehari dhe asistenten ekzekutive, Valë Gjonbalaj.
Znj. Jusufi e uroi kryetarin Kurti për procesin dhe rezultatin zgjedhor duke i dëshiruar sukses në punën e mëtejme në formimin e institucioneve të reja të Republikës të Kosovës. Kryetari Kurti e falënderoi për urimin dhe ndau bindjen që qeveria e re do të formohet shpejt. Ai foli për punësimin dhe drejtësinë si prioritetet kyçe të qeverisjes tonë, dhe për dy projektet që kanë të bëjnë me ndërlidhjen zhvillimore të vendeve tona: autostradën Shkup-Bllacë, dhe korridorin Prizren-Tetovë. Ambasadorja, znj. Jusufi, konfirmoi mbështetjen dhe gatishmërinë e Maqedonisë së Veriut për të bashkëpunuar në projekte që i kontribuojnë zhvillimit dhe progresit të dy shteteve tona.