Anëtari i LDK’së, Naser Rugova, thotë se përkundër dorëheqjes së Isa Mustafa, kryesia e LDK’së po mundohet të imponojë një kryetar të vetin. Humbja e madhe në zgjedhjet e 14 shkurtit ka bërë që brenda këtij subjekti të kërkohen zgjedhje të reja.
Rugova thotë se vetëm një proces demokratik, me garë të hapur dhe me shumë kandidatë, është zgjidhja e vetme për të dalur nga kriza.
“Këto ditë, kryesia në dorëheqje po përpiqet ta imponojë kandidatin e vet për Kryetar të ardhshëm. D.m.th, përkundër katastrofës zgjedhore, akoma vazhdohet me idetë e klaneve dhe dallavereve.”, ka shkruar ai.
“Kryetari i ri duhet të vijë vetëm nga baza dhe atë nëpërmes një gare vërtet demokratike, me shumë kandidatë dhe vetëm me votë të fshehtë”, shtoi Rugova.
LDK pësoi humbjen më të thellë në histori të saj si subjekt politik më 14 shkurt ku mori rreth 13% të votave.