Që prej thellimit të bashkëpunimit Kurti – Osmani, Konjufca është treguar më i heshtur dhe më i tërhequr ngase ishte më parë, shkruan TelegramiSot.
Aktivizmi i tij politik ka pësuar një rënie tash e disa muaj, por as fushata zgjedhore nuk e ka ngjallur ish-ministrin Konjufca.
Në media është raportuar se privilegji i Osmanit në listën e Vetëvendosjes e ka hidhëruar Konjufcën, por njëkohësisht në fare pak vende në fushatë Konjufca është parë me Kurtin.
Konjufca në Facebook’un e tij ka të publikuara pjesëmarrjen vetëm në dy ngjarje ku ka qenë prezent Kurti, ndërsa aktivitetin tjetër e ka në vendlindjen e tij në Llugaxhi të Lipjanit.
Ai ishte i pranishëm në prezantimin e programit të Lëvizjes Vetëvendosje në emision te gazetarja Jeta Xharra, por i njëjti ka qenë shumë pak aktiv në terren me partinë e tij.
Si me një tendencë për t’i shuar zërat që po çarkullonin në media, Konjufca gjatë vizitës së VV-së në Dardanë në Facebook’un e tij kishte publikuar fotografi me Osmanin e Kurtin duke shkruar “Me Albinin Kryeministër dhe Vjosën Presidente!”.
Por pas kësaj, të nesërmen ai ishte i vetëm në aktivitetin e fushatës në vendlindjen e tij.
Konjufca kishte shkruar në këtë postim “Në vendlindjen time në Llugaxhi të Lipjanit. KREJT dhe DREJT për numrin e ndryshimit 127”, dhe nuk kishte treguar ndonjë entuziazëm të theksuar politik siç jemi mësuar ta shohim.