Haradinaj shprehet i hapur për të bashkëpunuar me Vetëvendosjen që shihet gjerësisht si fituese e zgjedhjeve.
“Kosova është në një krizë tani, është një situatë jo e lehtë, kemi probleme ekonomike nga pandemia, situata me Serbinë dhe integrimi në arenën ndërkombëtare. Jam i bindur që mundem të ruaj unitetin dhe ti shërbej vendit,”- shprehet Haradinaj.
Kreu i AAK-së tregon në “Balkan Talks” se pse dëshiron të marr postin e presidentit.
Ne jemi Republikë parlamentar, por presidenti mban përgjegjësi për sigurinë dhe trupat e armatosura, mbron kushtetutën dhe zbatimin e saj. Për të gjitha këto përgjegjësi dhe nga fakti që kam qenë dy herë në krye të vendit, jam i sigurt që mund të udhëheq vendin dhe të ndihmoj Kosovën,” – thotë kandidati për president.
Kandidati për president shpalos dhe platformën zgjedhore që ka partia e tij.
“Kemi një listë që përfshin kandidatë nga çdo fushë, si ekonomia, politika, arsimi, shkenca etj. Ne kemi gjithashtu një program për të ndërtuar mjaft mirë ekonominë, politikën e jashtme, qeverinë. Unë e kam thjeshtësuar fokusin tim në këto zgjedhje duke kërkuar postin e presidentit”, tregon Ramush Haradianj.
Haradianj shprehet se pret bashkëpunim nga të gjitha forcat pas zgjedhjeve. “Ne nuk kemi vija të kuqe dhe presim çdo parti për koalicion pas zgjedhjeve. Nëse Vetëvendosja fiton zgjedhjet jemi të hapur për bashkëpunim me të,” – rrëfen z. Haradinaj.
Pavarësisht bashkëpunimit që shpreh Haradinaj, Vetëvendosja ka si kandidate për postin e presidentit Vjosa Osmanin, por Haradinaj mendon se kjo është një lëvizje pa ekuilibër.
“Është vështirë ta shpjegosh këtë situatë sepse Kushtetuta nuk lejon që presidenti të jetë pjesë e një partie. Duhet ekuilibër mes forcave politike dhe këtu ofrohemi ne për mbështetje,” – thotë Haradinaj.