Shqipëria ka ndryshuar qëndrim sa i përket dhurimit të vaksinave antiCovid për Kosovën. Edhe pse kreu i Qeverisë së Shqipërisë, Edi Rama kishte deklaruar se do të mbështesin Kosovën me vaksinat kundër virusit, së fundmi ai ka pohuar se ky plan ka ndryshuar, dhe se mund të vaksinojnë vetëm 50 doktorë nga Kosova.
Rama madje ka pohuar se doktorët nga Kosova duhet të shkojnë në Shqipëri për tu vaksinuar.
Lidhur me këtë temë, TelegramiSot ka kontaktuar me Ministrinë e Shëndetësisë në Kosovë, për të kuptuar nëse është bërë përzgjedhja e doktorëve që do të marrin vaksinën antiCovid.
MSH pohon se ende nuk ka bërë ndonjë përzgjedhje, ndërkohë shprehet falënderuese ndaj Shqipërisë.
“Ministria e Shëndetësisë e Kosovës ka falënderuar shtetin shqiptar për gatishmërinë për të ndihmuar në fushatën e vaksinimit kundër COVID-19. MSh është në kontakt me autoritetet shqiptare dhe për çdo veprim, publiku do të informohet me kohë”, thuhet në përgjigjen e dhënë nga MSH.
Sa i përket vaksinave antiCovid që Ministria e Shëndetësisë ka siguruar për qytetarët e Kosovës, MSH thotë se se janë duke bërë përgatitjet e duhura për të ruajtur vaksinat antiCovid, sapo ato të arrijnë.
“Në ndërkohë, Komiteti për imunizim kundër COVID-19 në Kosovë ka hartuar Planin e Imunizimit kundër COVID në Kosovë, duke bërë gati infrastrukturën e nevojshme dhe siguruar Zinxhirin e ftohtë të ruajtjes së vaksinave (deri në -70 gradë celsius) dhe duke përgatitur kapacitet njerëzore që do të kryejnë vaksinimin. Së fundi, dje është bërë e ditur nga mekanizimi COVAX se 100 800 (Astra Zeneca) vaksina pritet të arrijnë në Kosovë gjatë shkurtit për të filluar me vaksinim”, thotë MSH.
Tutje, në përgjigje thuhet se “MSh dhe institucionet e tjera shëndetësore janë duke u përgatitur për fushatën e vaksinimit kundër COVID-19 që pritet të nis gjatë këtij muaji në Kosovë”.