Në Klinikën e Neonatologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), marrin trajtim shëndetësor shumë foshnje të sapolindura.
Në po të njëjtën Klinikë, trajtohen edhe të porsalindurit me probleme të ndryshme shëndetësore.
Përgjatë periudhës 1 janar deri më 30 shtator në këtë klinikë kanë ndërruar jetë hiç më pak se 97 foshnje.
“Vdekshmëria e këtyre foshnjave zakonisht është e lartë dhe përfshinë afër 55-60 % të numrit të foshnjave, që ndërrojnë jetë. Numri i foshnjave për këtë grup peshë tek ne në KIinikë qe kanë ndërruar jetë është 47, ndërsa për grup peshat më të larta, është 50 foshnje”, ka thënë në një përgjigje për IndeksOnline nga QKUK.
Shkaktarët më të shpeshtë të vdekshmërisë së foshnjave janë asfiksioni perinatal, anomalitë e ndryshme dhe komplikimet përcjellëse.
“Klinika e Neonatologjisë trajton patologji të ndryshme të foshnjave, shkaktarët më të shpeshtë të vdekshmërisë së foshnjave janë: asfiksioni perinatal, prematurteti me komplikimet përcjellëse, infeksionet, anomalitë e ndryshme, siç janë ato të zemrës, traktit respirator, traktit tretës , urogjenital etj”,
Sipas drejtorit të Neonatologjisë në QKUK, Xhevdet Gojnovci, zvogëlimi i vdekshmërisë së foshnjeve është sfidë edhe për vendin tonë, sidomos për foshnjat deri në 1500 gram, transmeton IndeksOnline.
“Qellim i çdo kujdesi intensiv në shërbimin shëndetësor neonatal, kudo në botë, është zvogëlimi i vdekshmërisë së foshnjave, që është një sfidë e sidomos për foshnjat deri në 1500 gram. Kjo sfidë, po ashtu, është sfidë për ne ne Kujdesin Intensiv të Klinikës së Neonatologjisë”, ka theksuar Gojnovci.
Gojnovci thotë se Klinika e Neonatologjisë, sa i përket infrastruktures, është në një hapësirë të ngushtë, por me ndërtimin e spitalit të ri, investim nga Emiratet e Bashkuara, shpresojmë që edhe kjo të zgjidhet .
I pari i Neonatologjisë thotë se në periudhën janar- shtator kanë marrë shërbime neoatale 6mijë e 883 foshnje të lindura në Klinike Obstetrike Gjinekologjike dhe 369 foshnje, të referuara nga spitalet regjionale apo spitalet private.