Në mungesë të djalit të ish-Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës Shpend Maxhunit, Shpetim Maxhuni, i cili po akuzohet për armëmbajtje pa leje, të premten, ka dështuar të mbahet shqyrtimi fillestar ndaj tij.
Në këtë rast, për të njëjtën vepër penale i akuzuar është edhe Rinor Maxhuni, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Gjykatësi Kujtim Krasniqi për të akuzuarin Shpetim Maxhuni tha se gjykata kishte urdhëruar verifikimin e adresës së tij, mirëpo sipas tij policia ende nuk e kishte njoftuar gjykatën për adresën e të njëjtit.
Lidhur më këtë, gjykatësi Krasniqi tha se gjykata do të përsëris verifikimin e adresës së të njëjtit dhe do të njoftojë komandantin e Stacionit Policor përkatës për mos zbatimin e urdhëresës nga Policia e Kosovës.
Ndërsa prezent në këtë shqyrtim përveç prokurores Bukurije Gjonbalaj, ka qenë edhe i akuzuari Rinor Maxhuni.
Në mungesë të kushteve ligjore, seanca e së premtes është shtyrë për 30 nëntor 2020, duke filluar nga ora 9:30.
Sipas aktakuzës së ngritur më 1 tetor 2020, i akuzuari Shpetim Maxhuni, më 12 tetor 2018, policia gjatë patrollimit ia kishin gjetur revolen e tipit “Zastava” me karikator që ka pasur katër fishek, të cilin e ka mbajtur në kontroll dhe posedim të paautorizuar.
Në aktakuzë thuhet se në veturën në të cilën kishte qenë i akuzuari me dy persona, policia e kishin gjetur një thikë me ngjyrë të zezë të cilën i akuzuari Maxhuni e kishte mbajtur në pronësi.
Ndërsa i akuzuari Rinor Maxhuni, po akuzohet se e kishte mbajtur në pronësi armën të cilën policia ia kishin gjetur në trup të akuzuarit Shpëtim Maxhuni dhe të njëjtën e kishin konfiskuar.
Prokuroria dy të akuzuarit po i ngarkon me veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 366 par. 1 të Kodit të Ri Penal të Republikës së Kosovës. /BetimipërDrejtësi/