Kandidati për kryeministër nga PDK-ja, Kadri Veseli, ka deklaruar se do t’i shkojë deri në fund luftës kundër korrupsionit dhe nepotizmit, e këtë ai tha se do ta bëjë për t’u dhënë perspektivë të rinjve të vendit.
Veseli gjatë vizitës sot në fabrikën e mobileve “Te Naseri” në Shirokë të Suharekës, tha se do të krijojnë perspektivë për të gjithë ata djem e vajza që duan të qëndrojnë në Kosovë.
“Ndjehem i emocionuar dhe krenar kur shoh ndërmarrës të tillë, të cilët me punën e vet tregojnë nga duhet të shkojë Kosova. Kjo është rrugë e ardhshme e Kosovës, është zhvillimi ekonomik, është perspektiva për të rinjtë e të rejat tona me qëndrua këtu, është mundësia më e mirë për një Kosovë perëndimore. Ju e dini që unë i kam vënë vetes prioritet pikërisht këtë çështje, kam shpallur luftë të hapur dhe do t’i shkoj deri në fund luftës kundër korrupsionit dhe nepotizmit, për faktin se do t’i japim perspektivë këtyre vajzave e djemve që janë të vendosur për të qëndruar për të zhvilluar Kosovën e tyre. Ne nuk kemi tjetër vend, ne nuk kemi tjetër tokë, por si Zotin lart e kemi tokën tonë poshtë dhe duhet ta bëjmë këtë vend më të mirë dhe kemi për ta bërë”, tha Veseli.