Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë ndaj ish-deputetit të Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes “Vetëvendosje”, Liburn Aliu.
Aliu, i cili është kandidat aktual për deputet për zgjedhjet e sivjetshme të 6 tetorit, akuzohet për veprën penale “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare”, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Kjo aktakuzë ndaj tij, është ngritur për shkak se siç pretendon prokuroria, Aliu në sallën e Kuvendit të Kosovës, më 21 mars 2018, kishte marrë nga tavolinat e deputetëve 40 kartela zyrtare që shërbejnë për votim.
Ish-deputeti Aliu, këto kartela i kishte marr me qëllim që të pamundësohej votimi i marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi.
Sipas aktakuzës së siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, Prokuroria Themelore në Prishtinë aktin akuzues ndaj Aliut e kishte ngritur më 26 korrik 2019.
Ndërsa, Gjykata Themelore në Prishtinë, këtë aktakuzë e ka pranuar më 30 korrik të këtij viti.
Sipas aktakuzës, thuhet se më 21 mars 2018, rreth orës 13:44, në sallën e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Liburn Aliu akuzohet se si deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës i ka penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, përkatësisht deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Prokuroria pretendon se derisa deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës kanë qenë në pauzë, i akuzuari Liburn Aliu është futur në sallën e legjislativit dhe nga tavolinat e deputetëve ka marrë rreth 40 kartela zyrtare për votim, duke pamundësuar zhvillimin e suksesshëm të seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit të Republikës së Kosovës.