Presidenti i Turqisë, Rexhep Erdogan, tha të dielën se vendi i tij do ta fillojë testimin në hapësirë të motorëve të raketave vendore.
“Do të doja të njoftoj për fillimin e testimeve të para në hapësirë të teknologjisë vendore të motorëve të raketave”, tha kreu i shtetit turk gjatë ceremonisë hapëse të një qendre të prodhimit dhe hulumtimit të kompanisë “Roketsan” në Ankara.
Ne gjithashtu do t’i vazhdojmë përpjekjet tona që të zhvillojmë motorë raketash me energji hibride”, shtoi ai.
Erdogani tha se Turqia nuk toleron ndonjë mungesë koordinimi në industrinë e mbrojtjes. “Në veçanti, ne kurrë nuk pranojmë prodhime nga jashtë që mund të bëhen në vendin tonë. E kemi kthyer në jetë industrinë tonë të mbrojtës, që ishte afër paralizimit”, tha ai.
Sipas tij, kompania “Roketsan” ka zhvilluar teknologji për shfrytëzim të hidrogjenit, që është burim i pastër i energjisë dhe që gjen zbatim në sektorët e hapësirës, aviacionit dhe transportit.